Opinioni publik i Kosovës dhe më gjerë këtyre ditëve u ndodhë para figures së Xhafer Devës, i papërgatitur, si para një “toke djerrë” dhe për pasojë kemi vërejtur se jo pak individë kishin marrur me vete veglat joadekaute për ta punuar këtë “tokë”
Nga Mehmet PRISHTINA
Nëse i referohemi debateve të kohëve të fundit, do të vërejmë se ne si shoqëri ende nuk e kemi një njësi matëse-relevante mbi vlerësimin e ngjarjeve dhe personaliteteve të së kaluarës. Kjo ka ardhur si pasojë e qasjes fragmentare e sipërfaqësore të historiografisë sonë, e cila ende nuk ka arritur të hedhë në “sitën” e vërtetësisë shumë detaje nga e kaluara e jonë. Në mungesë të kësaj “site”, sot për ngjarje e personalitete historike flet gjithsecili, e më së paku ata që janë të thirrur dhe të përgatitur (nëse janë të përgatitur) për ta thënë një të vërtetë, e cila jo domosdoshmërisht duhet të jetë absolute. Fundja asnjë shkencë, pra as historiografia, nuk pretendon të zbuloj një të vërtetë absolute dhe të pëmbyllur, sepse gjithmonë do të mbeten disa pyetje e dilema të hapura, të cilat ose do të marrin përgjigje me vonesë ose asnjëherë nuk do të marrin përgjigje përfundimtare.
Po historiografia jonë, a po vonohet në dhënien e përgjigjeve që kërkon koha, apo ajo ende po vuan pasojat e një qasjeje bardh e zi, ku ngjarjet e proceset e historike shikohen të ndara në pozitiv-negativ, patriot-tradhtar, përparimtar-regresiv etj.
Procesi i të shkruarit të historisë shkon krahas konsolidimit të shteteve dhe shoqërive. Në Kosovë ka ndodhur një proces i çuditshëm sepse ndërkohë që konsolidimi i shtetit po ndodhë, në anën tjetër historiografia po vendnumron. Ka shumë faktorë që kanë determinuar një gjendje të tillë dhe ende nuk kemi një përgjigje të prerë mbi këtë anomali, por ajo që bie në sy lidhet me qasjen e ngusht që ka historiografia jonë zyrtare ndaj të kaluarës.
Kosova ende nuk e ka të shkruar historinë e saj zyrtyre si shtet, pa harruar të përmenden edhe periudhat e rëndësishme historike, duke filluar nga antika, mesjeta e deri te luftërat botërore, ku konteksti i shqiptarëve dhe i Kosovës në aspektin historiografik-shkencor mbeten disi të mjegulluar. Kjo ka ndikuar që shumë historian të huaj kur flasin për këto periudha, ose i referohen burimeve serbe, ose përshkrimin e ngjarjeve e bëjnë mbi interpretime të lira, por jo gjithmonë objektive.
Analiza shkencore historiografike, mbështetur në dokumente arkivore, dhe në burime relevante, ka për qëllim eliminimin e dilemave e hezitimeve të panevojshme mbi ngjarjet dhe personalitetet. Sikur ta kishim këtë analize, ne sot nuk do të kishim dilema e polemika mbi rolin e disa personaliuteteve tona nga e kaluara dhe nga e sotmja në proceset politike nëpër të cilat kanë kaluar shqiptarët. Ne ende debatojmë dhe kontestojmë mbi rolin dhe kontributin e Adem Demaçit, bie fjala, në ngritjen e vetëdijes politike e kombëtare të shqiptarëve, duke i atribuar atij, gjatë interpretimi, padrejtësisht ngjyrime politike e ideologjike. Kështu ka ndodhur edhe me figurën e Ibrahim Rugovës, Ukshin Hotit, Jusuf Gërvallës etj. Kështu tash së fundmi po ndodhë edhe me figurën e Xhafer Devës, një personalitet me dritët-hijet e veta, por i cili në historiografinë tonë ka mbetur një “tokë e pashkelur”. Zakonisht këto lloj tokash nëse nuk punohen një kohë të gjatë, ato ngelin djerrë dhe mbi të mund të mbijnë lloj-lloj bimësh që zakonisht e bëjnë shumë të vështirë ripërpunimin e asaj toke.
Opinioni publik i Kosovës dhe më gjerë këtyre ditëve u ndodh para figurës së Xhafer Devës i papërgatitur, si para një “toke djerrë” dhe për pasojë kemi vërejtur se jo pak individë kishin marrur me vete veglat joadekaute për ta punuar këtë “tokë”. Kemi vërejtë se shumë çka nga jeta dhe vepra e këtij personaliteti po i dëgjonim për herë të parë, dhe atë jo nga historianët (me ndonjë përjashtim të vogël), por nga publicistët dhe studiuesit tjerë.
Kur një audience është e papërgatitur profesionalisht të absorbojë përmbajtje të panjohura, ajo është më lehtë e prirur t’i ekspozohet të vërtetave e gjysëm të vërtetave, interpetimeve objektive e subjektive, qasjeve parimore e tendencioze etj. Kjo për pasojë e mos krijimit të një shkolle modern të interpretimit shkencor e objektiv të historisë, e cila do të duhej të ishte e liruar nga ndikimet politike e ideologjike dhe do të ishte e paisur me instrumentet e domosdoshëm të gjykimit të drejt e relevant të së kalaurës, e cila nëse nuk studiohet si duhet mund të bëhet peng i së ardhmes.
A ka rrezik që ne të bëhemi peng i së ardhmes si pasojë e qasjes sipërfaqësore e fragmentare ndaj së kaluarës?
Debatet e kohëve të fundit po dëshmojnë se ne pa dashje mund të futemi në axhendat e huaja dhe të bëjmë shërbime që shkojnë në dëm të imazhit dhe perspektivës sonë si shtet dhe si shoqëri. Cektësia e këtyre debateve ka ardhur si pasojë e mungesës së historiografisë kritike, e cila do të duhej të ndiqte modelet e njohura të shkollave të huaja historiografike, ku e vërteta nuk do të mund të mjegullohej, siç po ndodhë me disa të vërteta nga historia jonë kombëtare.
Pa pretenduar në të vërtetën absolute, historiografia jonë ka detyrime të pashlyera ndaj të sotmes dhe së ardhmes për ta paraqitur të kaluarën ashtu siç ishte, e jo ashtu siç do të donim të ishte.
Prishtinë, 14 shkurt 2022