Inspektorati i Lartë i Drejtësisë i ka kërkuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë të ndëshkojë me masë disiplinore prokurorët Milan Laskaj dhe Françesk Ganaj.
Rasti lidhet me vrasjen e efektivit të policisë Saimir Hoxha nga i riu Aldi Rama i cili në momentin e ngjarjes së rëndë duhet të ishte në arrest shtëpie.
Deklarata
Mbi kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë Artur Metani për procedim disiplinor me masën “ vërejtje publike” ndaj prokurorëve F.G. dhe M.L.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka finalizuar hetimin disiplinor, të nisur me iniciativë, ndaj magjistratëve F.G., me detyrë prokuror i Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe M.L., për periudhën e ushtrimit të detyrës, si prokuror drejtues në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë. Hetimi disiplinor ka filluar mbi bazën e informacionit të paraqitur në media, lidhur me ngjarjen tragjike të datës 28.09.2021, ndodhur në qytetin e Lezhës, ku si pasojë e veprimeve të kryera nga shtetasi A.R, ka humbur jetën, oficeri i policisë S.H. Në median e shkruar dhe atë vizive janë pasqyruar informacione të cilat lidhen me historinë problematike të autorit të vrasjes dhe përballjen e tij me organet e drejtësisë.
Në analizë të dokumentacionit të administruar në kuadër të këtij procesi hetimor, ILD konkludon se:
• Si rezultat i veprimeve dhe mosveprimeve në mospërmbushje të detyrës funksionale, si prokuror gjatë hetimeve paraprake, F.G., ka shkaktuar dorëzimin e akteve të procedimit penal në gjykatë në tejkalim të afatit të paraburgimit për të pandehurin, c’ka ka sjellë për pasojë konstatimin nga ana e gjykatës, të shuarjes së masës së sigurimit “arrest në burg” ndaj të pandehurit A.R. dhe caktimin ndaj tij të masës së sigurimit “arrest në shtëpi”.
• Kjo sjellje përbën mospërmbushje të detyrës së prokurorit, të cilit i është dhënë atributi kushtetues për të ushtruar ndjekjen penale dhe kontrolluar hetimet paraprake, me qëllim dërgimin e çështjes në gjykatë, në respektim të afateve ligjore procedurale penale.
• Prokurori M.L., pa shkaqe të arsyeshme ka lejuar moszbatimin e Udhëzimit të detyrueshëm të Prokurorit të Përgjithshëm, duke sjellë për rastin e kwsaj çështje penale, konfuzion për kohën e dorëzimit të akteve nga prokurori i çështjes dhe në vijim në gjithë zinxhirin e hallkës së funksionimit administrativ në prokurori për kalimin e akteve në gjykatë.
• Kjo sjellje e prokurorit M.L., përbën mospërmbushje të detyrës, duke cënuar pozitën dhe figurën e një drejtuesi prokurorie, qw si prokurori më i lartë për të gjithë prokurorët e zyrës që drejton, duhet të respektojë ai i pari udhëzimet e një prokurori më të lartë.
• Veprimet/mosveprimet e ndërmarra nga ana e magjistratëve F.G. dhe M.L., përbëjnë shkelje disiplinore të lehtë, sipas nenit 102, pika 1, shkronja “l” e ligjit me nr. 96/2016.
Për sa më sipër i kërkohet KLP-së, pranimi i kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për caktimin e masës disiplinore “Vërejtje publike” ndaj magjistratit F.G., me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë për shkeljen disiplinore të parashikuar nga neni 102, pika 1 shkronja “ç” dhe “dh” të Ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar; dhe caktimin e masës disiplinore “Vërejtje publike”, për magjistratin M.L., aktualisht prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për shkeljen disiplinore të parashikuar nga neni 102, pika 1 shkronja “l” të Ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
/b.h