Kryeministri Edi Rama, gjatë një interviste të dhënë për Zërin e Amerikës, foli dhe në lidhje me shtetasit shqiptarë të cilët ndodhen në Ukrainë.
Teksa nuk zbuloi një shifër të saktë të tyre, Rama theksoi se Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka marrë të gjitha masat e duhura në lidhje me këtë çështje. Ai shtoi gjithashtu se në Ukrainë ndodhen disa shtetas shqiptarë të cilët shërbejnë për një mision të ODHIR dhe do të vijojnë të qëndrojnë aty.
“Kjo është një çështja tashmë e të gjithë botës dhe jo vetëm e Shqipërisë dhe patjetër që në këtë proces ne do të jemi krah për krah me SHBA-të dhe që të jemi realisht vendimmarrja i takon Shteteve të Bashkuara.
Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka marrë të gjitha masat e nevojshme. Ne kemi disa qytetarë të Shqipërisë të cilët janë pjesë e misionit të OSBE-së dhe do të vijojnë të qëndrojnë në Ukrainë”, tha Rama.
Gjithashtu kryeministri foli dhe në lidhje me luftën e korrupsionit në Shqipëri, ku tha se Reforma në drejtësi dhe digjitalizimi i shërbimeve të udhëhequra nga qeveria e tij do të ulë nivelin e korrupsionit.
“Prania e korrupsionit në sistemin tonë është e padiskutueshme, por lufta kundër korrupsionit që ne kemi organizuar e ka atakuar korrupsionin.
Nga njëra anë ne jemi angazhuar për të udhëhequr Reformën në Drejtësi dhe transformimin e rrjetit të ofrimit të shërbimeve. Lufta kundër korrupsionit është modernizim është krijim sistemesh që garantojnë vendimmarrjen në kohën e duhur. Është një luftë që kërkon kohën e vet”, tha Rama.