Një grek 43-vjeçar dhe një shqiptar 33-vjeç janë përplasur me njëri-tjetrin dhe sherri i tyre ka degjeneruar në grushta e deri në përdorimin e thikës. 43-vjeçari grek ka kapur thikën për të goditur shqiptarin në mes të një restoranti ndërsa ngjarja ka tronditur edhe klientët.
Shtetasi grek ka goditur me kokë shqiptarin fillimisht dhe gjatë përleshjes dhe daljes nga dyqani, autori ka përdorur një thikë të cilën e ka marrë nga një tavolinë në dyqan duke e kthyer në drejtim të shqiptarit si dhe ka tentuar shumë herë ta godasë në bark dhe në qafë. Policia gjeti në vendngjarje, dy thika identike, me gjatësi tehu 11 cm dhe dorezë 10 cm. I plagosuri u dërgua në spitalin “Agia Varvara” për ndihmën e parë, ku, siç rezultoi nga dokumentet mjekësore, u konstatua se ka një dëmtim në trup. Ai është urdhëruar t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore, e cila ka rezultuar se ka marrë një plagë prej 4 cm në zgavrën e majtë të kraharorit, paralel me shtyllën kurrizore dhe në një distancë prej 5 cm prej saj, e cila është shkaktuar nga një prerje.
“Ai u përpoq të më godiste më shumë se 20 herë”, ka thënë shqiptari në dëshmitë që ka dhënë si në policinë e Repartit të Vuliagmenit ashtu edhe në hetuesi, shkruajnë mediat greke.
I gjithë sherri mes të dyve ka nisur se kush do ta dërgonte porosinë e restorantit. “Kam katër vite që punoj në këtë restorant në Vula. Unë punoj si shpërndarës i ushqimeve. Sot rreth orës 2 të pasdites teksa po flisja me autorin për një porosi, u grindëm, pasi nuk ishim dakord se kush do ta bënte shpërndarjen.
Teksa po grindeshim me të madhe pa sharë, ai më hodhi një lugë. Unë e godita me grusht, kur shoh që ai mbante një thikë në dorë dhe filloi të përpiqej për të më goditur në bark. E ndalova sepse e kapa nga duart. Ai u përpoq të më godiste shumë herë. Provoi gati më shumë se 20 herë.
Edhe kur u ndamë, ai donte të më sulmonte sërish me thikë, duke provuar të gjuante në qafë dhe në bark. E pengova sërish dhe më pas më më goditi me thikë në mes të shpinës. Gjithçka zgjati më shumë se një çerek” i tha shqiptari, policisë./m.j