Gazetari Artan Hoxha ka komentuar zhvillimet e fundit në vend. Ai tha se Lulzim Basha nuk ka menduar se çështja e “Toyota Auris” do të shkonte në hetim të autoriteteve belge.
“Ai e çoi akuzën drejt një grupi, i cili nuk ka lidhje fare me paratë që po vinin. Pra ai e çoi diku ku ngjarjet po zhvilloheshin politikisht. E çoi në Elbasan që ta lidhte me Ballën, dhe nëpërmjet Ballës ta lidhte me qeverinë”, tha Hoxha, duke iu referuar fjalimit të Lulzim Bashës në Kuvend.
Ai shtoi se ajo që bëri Basha do të kishte vlerë “nëse nuk do të kapej ngarkesa”.
Hoxha tha se Basha e keqpërdori situatën, porse “nuk e ka vrarë mendjen”.
“Duke pasur parasysh se si funksionon Basha edhe për ngjarjet tjera, gabimi i tij është se nuk ka menduar që kjo çështje mund të përfundonte në hetim të autoriteteve belge. Basha ka kujtuar se është si këto historitë në Shqipëri që mbyllen këtu”, u shpreh Hoxha.
Ai shtoi se fakti që po këmbëngulin tek Basha do të thotë “se ka një çështje sensitive që i shqetëson prokurorët”, tha ai për Euro News ALbania./m.j