Mes frikës nga sulmi i papritur rus, Ukraina ka nisur të mobilizohet në të gjitha aspektet. Ditën e sotme ministri i Brendshëm Denys Monastyrskiy, tha në një deklaratë për mediat se kushdo që tenton të marrë me forcë institucionet ukrainase do të pushkatohet në vend pa paralajmërim.
Ky mesazh i është drejtuar në veçanti “separatistëve” të cilët mund të përfitojnë nga situata dhe të marrin me forcë institucionet shtetërore.
“Nëse ndonjë “Girkin” tenton të marrë me forcë ndërtesat administrative, do të qëllohet nga forcat speciale pa paralajmërim dhe pa asnjë dyshim”- paralajmëroi ministri Monastyrskiy.
Me emërtimin “Girkin” ai iu referua ish-ushtarakut rus Igor Girkin, i cili ka luajtur një rol të rëndësishëm në aneksimin e Krimesë, në luftërat në Donbass dhe më pas është vetëshpallur ministër i mbrojtjes i Republikës Popullore të Donteskut.
Sipas Monastyrskiy Ministria e Punëve të Brendshme nuk do të lejojë manifestime separatiste siç u zhvilluan në pranverën e vitit 2014 në një numër rajonesh juglindore dhe në rast të përpjekjeve për të kapur ndërtesa administrative me forcë, militantët e kontrolluar nga Federata Ruse do të qëllohen “pa paralajmërim”. Ukraina është bërë më e fortë dhe më e organizuar, theksoi ministri.
/b.h