Ish-prokurori Eugen Beci komentoi sot në emisionin ‘Kontrast’ mbërritjen e prokurorëve belgë në Tiranë, që morën në pyetje Lulzim Bashën rreth çështjes ‘Toyota Yaris’.
Sipas Becit, pyetja kryesore për Bashën dhe që përbën interes për drejtësinë si shqiptare, ashtu edhe belge, është se kush e informoi kreun e PD që e deklaroi ditë më parë mbërritjen e parave me Toyota.
Ai shtoi se prokurorët belgë ishin në Tiranë për të ekzekutuar një letër porosi dhe nëse kanë prova shtesë rreth dëshmitarit apo dëshmisë janë të lirë të thellojnë hetimet dhe veprimet ligjore.
“Çështja e Toyota Yaris në Shqipëri është e mbyllur në kuptimin e procedimit penal. Por autoritetet belge e kanë shumë të rëndësishme të kuptojnë se si ka ardhur dhe si ka mbërritur informacioni në Shqipëri. Duke marrë parasysh që bëhet fjalë për deklaratat e kryetarit të Partisë Demokratike. Por pyetja kryesore e tyre është kush ta tha dhe ku e dije. E thënë me pak fjalë, nëse prokurori ka përballë një dëshmitar dhe ka prova të tjera të pavarura nga personi, atëherë mund të ketë një problem. Autoritetet belge ne rastin konkret janë në ekzekutim të një letër porosie. Ata po veprojnë mbi atë çka gjykata shqiptare i lejojnë të bëjnë. Se si do veprojnë ata me pas është komplet kompetencë e tyre dhe e pavarur. Por një prokuror ka vetëm një pyetje: Zotëri kush ta tha? Nuk ndërhyn tek pjesa se përse e the” – tha ish-prokurori Eugent Beci për ‘Kontrast’ në Report TV.
/b.h