Nga Ardit Rada
Vendimi i Gjykatës së Tiranës për njohjen e Eduart Prodanit si Kryetar të Shoqatës së Futbollit të Tiranës, shkon përtej një zëvendësimi të zakonshëm emrash se kush do të ketë të drejtën e votës në përzgjedhjen e Presidentit të ri të FSHF. Gjykata, me vendimin e saj, njohu manipulimin që po ndodh në procesin e votimit dhe kjo është pjesa më e rëndë me të cilën duhet të përballet struktura e Dukës për ta mbajtur të akaparuar e mbajtur peng drejtimin e Federatës më të rëndësishme të sportit.
Nuk kishin mjaftuar as ndryshimet e para një viti për të ndryshuar mënyrën e votimit, duke ulur përfaqësimin e klubeve profesioniste e duke shtuar shoqatat klienteliste që do siguronin vota të garantuara. Nuk kishin mjaftuar as përpjekja për të mbajtur një proces të errësuar në salla të mbyllura e larg vëmendjes së opinionit publik.
Gjykata e Tiranës konstatoi se shkeljet janë të rënda dhe që shkjon përtej një procesi normal votimi. Fakti që në një sallë ku pritej të votohej Kryetari i Shoqatës së Futbollit të Tiranës ndodheshin 46 përfaqësues kur të drejtë vote kanë vetëm 41 anëtarë, ishte dëshmi e qartë e ndërhyrjes së strukturave të FSHF për manipulimin e rezultatit. Ndaj, Gjykata e rrëzoi emërimin e katapultuar të Alimehmetit nga ana e FSHF dhe vendosi të njohë si kryetar të Soqatës së Tiranës Z. Prodani së bashku me 6 përfaqësues të tjerë që do të kenë të drejtën e votës për zgjedhjen e presidentit të ri.
Kur ky manipulim bëhet kaq i dukshëm në mes të Tiranës, imagjino se çfarë mund të bëhet apo të tentohet në rrethe të tjera të vendit. Ndaj, ky vendim është vetëm fillimi për çmontimin e një strukture në krye të FSHF që po tenton të mbahet me thonj e manipulime në emër të një pushteti që është kalçifikuar prej 20 vjetësh në krye të futbollit shqiptar. Rastet e përsëritura dhe që janë denoncuar në qytete si Fier, Durrës, Gjirokastër a gjetkë, duket se do përbëjnë hapin tjetër të shkatërrimit të kësaj skeme të manipulimit. Vendimi i Gjykatës së Tiranës hap kështu siparin se mund të kemi ndryshime të bujshme në qytetet ku votimet janë manipuluar dhe nga ku do të varet dhe fati i zgjedhjeve për presidentin e ri të FSHF.
Por, kemi dhe anën tjetër të medaljes. Vendimi i Gjykatës së Tiranës ishte dhe argumentimi më i qartë se nuk mund të fshihesh duke deklaruar se ka ndërhrje nga politika ndërkohë që vetë bën manipulimin e rezultatit të votimeve. Duka, Sekretari i Përgjithshëm i FSHF dhe eksponentë të tjerë të kupolës së futbollit të përfshirë në këto shkelje, më së pari duhet të jenë transparent e ti rrinë larg shkeljeve sesa të krijojnë alibira për ndërhyrje në emër të ruajtjes së një pushteti të pamerituar.