Lëvizja Socialiste për Integrim nuk jep votën e saj në Komisionin e Posaçëm të Reformës në Drejtësi për të dërguar propozimet e ekspertëve në Komisionin e Venecias, pa përfshirë edhe opozitën në këtë draft. Krerët e mazhorancës nuk dhanë detaje për gazetarët, por gazeta Panorama ka arritur të zbardhë atë çka u bisedua mes tyre.
Takimi i djeshëm në vilën qeveritare nr.30, i cili zgjati rreth tri orë mes Kryeministrit Rama, kryetarit të Kuvendit Meta, e ku të pranishëm ishin edhe ministri i Drejtësisë Manjani, kryetari i Grupit Parlamentar socialist, Ruçi, kryetari i Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi, Xhafaj, nuk arriti të gjejë dakordësi mes dy aleatëve të koalicionit qeverisës.
Mësohet se Kryeministri Rama ka kërkuar që Komisioni i Posaçëm i Reformës të mblidhet dhe të miratojë paketën e ndryshimeve kushtetuese, duke ia çuar më pas atë Komisionit të Venecias edhe pa propozimet alternative të PD-së, e cila e braktisi grupin e punës të ekspertëve.
Por në këtë pikë ndahen dy aleatët e koalicionit. Kreu i Kuvendit kërkon një reformë gjithëpërfshirëse edhe me kontributin e Partisë Demokratike.
Pas tre orësh takim në vilën 30, Kryeministri Rama ka dalë i shoqëruar nga ministri Manjani dhe kryetari i Grupit të PS, Fatmir Xhafaj, por nuk ka preferuar të flasë për mediat.
Takimi mes Metës dhe Ramës zakonisht është zhvilluar çdo javë në mesditë në zyrën e kryetarit të Kuvendit, ndërsa dje ajo u zhvillua në mbrëmje pas takimit që Rama pati me dy ambasadorët Lu dhe Vlahutin, që janë angazhuar në mbarëvajtjen e Reformës në Drejtësi.
PANORAMA