Shën Valentini është një nga ditët më të ëmbla për çiftet, por sidomos për ata që plaken së bashku. I tillë është rasti i prindërve të Alketës, e cila ka ardhur nga Italia në emisionin “E diela shqiptare” në Tv Klan vetëm për ta.
Përpara se të tregojë arsyen e ardhjes në “Ka Një Mesazh Për Ty”, Alketa e nis me rrëfimin e historisë së Agronit dhe Xhekut.
Alketa: Janë njohur me shkuesi, por që në ditën e parë them se e kanë gjetur dashurinë mes njëri-tjetrit. Babi, mbaj mend që e vogël, çdo ditëlindje, 8 Mars, nuk harronte t’i sillte mamit sikur një degë kumbulle, nja dy manushaqe, lulet e para të pranverës. Mbaj mend që ngriheshin të dy në mëngjes, i bënin kafenë njëri-tjetrit, uleshin në kuzhinën e vogël dhe diskutonin për çdo problem në mënyrë të qetë. Nuk mbaj mend të kenë ngritur zërin me njëri-tjetrin.
Unë kam ikur që në 1996 në Itali, pastaj mora vëllanë e vogël, erdhi dhe i madhi. Në vitin 2000 morëm dhe prindërit në Itali dhe deri në vitin 2012 kanë jetuar me ne, në Vicenza. Kanë punuar të dy bashkë, mami punonte te zyrat e Karitasit dhe nëpër shtëpi. Janë episode që më kanë mbetur në mendje. Babi nuk është xheloz, por është ndjenja që nuk ndahen asnjëherë nga njëri-tjetri. Kur babi mbeti pa punë se u mbyll fabrika, rrinte e priste mamin përpara shtëpisë së zonjës ku punonte. Ajo e shikon dhe i thotë “shko se po të pret burri, është bërë xheloz se je vonë”. Mami i tha “ai nuk bëhet xheloz, por nuk rri dot pa mua”.
Ardit Gjebrea: Po njerëzit si e shihnin marrëdhënien mes mamit dhe babit tënd?
Alketa: Mamaja ime është nga Vlora dhe kur erdhi në Elbasan, babi rrinte gjithmonë me mamin, edhe kur e ftonin njerëzit e tij, ai thoshte “nuk vij, do marr edhe Xhekun”. Njerëzit thoshin “po, po, erdhi ajo nga Vlora dhe e ka bërë për vete”.
Agroni dhe Xheku kanë festuar përvjetorin e tyre të artë të martesës, pasi kanë plot 50 vite së bashku.
/a.r