Kryeministri Edi Rama është takuar me Kreun e Kuvendit Ilir Meta në ambientet e vilës qeveritare 30, ku në bashkëbisedim mer pjesë dhe Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani.
Pak më parë Kreu qeverisë pati një takim të gjatë në Kryeministri me ambasadorin Donald Lu dhe ambasadoren e BE Vlahutin, në lidhje me reformën në drejtësi. Pavarësisht se asnjë e dhënë nuk është bërë publike në lidhje me këtë takim, mendohet se në fokus të diskutimeve ka qenë ngërçi i krijuar prej disa ditësh në lidhje me reformën dhe draftin e saj.
Opozita mbetet e palëvizur në vendimin e saj për të mos marrë pjesë në një draftim të reformës, që sipas asaj maxhoranca po e bën në të tillë mënyrë që të kapë drejtësinë dhe të gjitha shkallët e gjyqësorit.
Ndërkaq, po ashtu prej kohësh, Ambsadori i SHBA Lu është bërë ndërmjetës mes opozitës dhe maxhorancës që të dy palët të ulen në tavolinë dhe të arrijnë një konsensus për reformën më të rëndësishme në këto vite për Shqipërinë.
Këtë të mërkurë, Kreu i Kuvendit Ilir Meta mblodhi kryesinë e LSI dhe tha se konsensusi dhe gjithëpërfshirja janë kryefjala e kësaj reformë, duke nënkuptuar se procesi i reformimit të gjyqësorit, duhet të ketë në përbërje të saj edhe vullnetin dhe pjesëmarrjen e opozitës.