Prokurori Haxhi Giu u arrestua nga forcat e policisë më datë 2 dhjetor nën akuzën e korrupsionit, pasi dyshohej se kishte marrë një rryshfet prej 29 mijë eurosh për të zbutur akuzën ndaj një të dënuari.
Report Tv ka publikuar fotot e prokurorit Haxhi Giu dhe Aleks Shporit të fiksuara më 29 tetor 2015 në pikën e këmbimit valutor në Tiranë, pikë në të cilën ata tërheqin 29 mijë eurot e lëna si garanci nëse Gjon Shpori, vëllai i Aleksit, do të lirohej nga burgu.
Foto frekuencat i përkasin datës 29 tetor 2015, ku prokurori është fiksuar në një zyrë këmbimi valutor në kryeqytet ku ai së bashku me familjarët e të arrestuarit Gjon Shpori, tërheqin paratë e lëna si garanci, pasi nuk lirua nga burgu ky i fundit, i arrestuar për trafik droge.
Këto pamje dhe dëshmia e Aleks Shporit (edhe ky i fundit i arrestuar), janë ndër provat e prokurorisë së krimeve të rënda që rëndojnë mbi prokurorin e Krujës Giu, i cili prej më shumë se një muaji, qëndron pas hekurave për akuzën e korrupsionit.
ReportTv zbardh për herë të parë dëshminë e Aleks Shporit ku ai pranon se i ka premtuar prokurorit 30 mijë euro në këmbim të ndryshimit të akuzës për të vëllain.
Dëshmia e Aleks Shporit
Në shtator 2015 jam takuar për herë të parë me Prokurorin në oborrin e Prokurorisë Krujë nis deklarimin e tij për hetuesit Aleks Shpori.
“Më tha të takohemi pas një jave tek Kali i Skënderbeut në Tiranë, më caktoi orën 18:30 min dhe kështu u takuam në Tiranë, i tregova historinë e vëllait tim Gjonit i cili ka dh dy vajza për të rritur.
Nga ana e tij prokurori më tha që kjo punë nuk bëhej dhe ishte e vështirë, por unë insistova për ta liruar vëllain duke i ofruar një shumë të konsiderueshme eurosh që mund tia lija vetë prokurorit ose dikujt tjetër që ai kishte besim. Në këtë moment prokurori më thotë që kur ti kesh paratë eja lëri në këtë exchange që ishte afër kafes ku u takuam dhe aty i solla pas disa ditëve”.
Momenti i arrestimit te Haxhi Giut
Haxhi Giu dhe Aleks Shpori u prangosën në 2 dhjetor të 2015 nën akuzën e korrupsioni për zyrtarët e drejtësisë, ndërsa aktualisht ata ndodhen në burg pasi dhe gjykata e apelit la në fuqi këtë masë sigurie.