Një ortek dëbore ka vërshuar në Alpet franceze duke përfshirë një grupsh nxënësish të një shkolle që po mbanin një festë në një pistë skish.
Lajmin e bëjnë të ditur mediat franceze, sipas të cilave vërshimi i masivit të dëborës i ka marrë jetën të paktën një personi, ndërsa 5 të tjerë konsiderohen të humbur raporton Tch.
Ekipet e shpëtimit që kanë mbërritur në vendin e ngjarjes kanë gjetur 4 nxënës në gjendje arresti kardiak dhe mësuesin e tyre pa ndjenja.
Grupi prej 10 nxënësish kishte qenë për ski në zonën alpine Les Deux, në një pistë që në momentin e ortekut ishte e mbyllur për publikun. Ekipet e shpëtimit, të ndihmuara nga qentë dhe helikopterët, po vijojnë operacionet, saktësojnë burimet mediatike.
Ndërkohë, një dëshmitar tha për një stacion radiofonik lokal se orteku ka gjasa të jetë shkaktuar nga grupi i skiatorëve të pranishëm në zonë.
Pista në fjalë ndodhet në një terren të akullt, në pjesën veriore dhe përballë shpatit të malit, raporton më tej stacioni radiofonik.