Nga Denis Dyrnjaja
Politika ka arritur një sukses unik në Shqipëri. Ajo që ndodh këtu, besoj se nuk ndodh në asnjë vend të botës demokratike, asaj që promovojmë dhe aderojmë prej 30 vitesh se duam të shkojmë. Raportet e politikës me llogaridhënien publike janë në pikën e tyre më të ulët, madje janë shuar thuajse fare.
Në media mungon debati dhe ballafaqimi i tezave, ideve, projekteve, koncepteve dhe filozofive që kanë krahët e politikës. Në 10 vjeçarin e parë të demokracisë 1990 – 2000 në Shqipëri mungonte habitati i nevojshëm bashkë me kulturën mediatike për të zhvilluar këto debate. Media plurale dhe gazetaria në tërësi ishte në hapat e parë të konsolidimit të saj dhe përshtatjes me mendësinë e re që prodhoi sistemi demokratik.
Në 10 vjeçarin e dytë bumi mediatik kryesisht televiziv u shoqërua me një bum debatesh ebpërballjesh të politikës edhe pse larg kulturës tezë-antitezë perëndimore. Në një farë soji ky debat ekzistonte, për të mbërritur në dekadën e tretë 2010-2020 kur ky debat u zhduk me lindjen dhe zgjerimin gati në ekspansion të medias online që në zhargonin ditor njihet dhe e quajmë portal. Rreth 800 të tillë tanimë në qarkullim, kanë nevojë për ushqim mediatik dhe ushqimi më i mirë është ai që cilësohet si lajm skup.
Por të tillë lajme zor se gjen sepse gazetaria profesionale dhe reale me standarde thuajse është në zhdukje. Përtej kësaj media online zëvendësoi mundësinë për debat dhe përballje mes politikanëve. Tani vendin e tyre e kanë zënë gazetarët që zihen sherrosen e fyhen mes njëri tjetrit për llogari të politikës. Mjafton të shohësh çfarë ndodh në orët prime time në mbrëmje dhe kjo është lehtësisht e kuptueshme dhe e dallueshme. Degradim total profesional. Mbijetesa dhe nevoja për vëmendje lajm dhe interes në kushtet e reja i ka shndërruar mediat dhe gazetarët në “gladiatorë publikë” që përleshen netëve nëpër studio në mënyrën më të ashpër, ku nuk mungojnë fyerje, goditjet poshtë dhe lart brezit, anatemimet dhe denigrimet.
Në mes orëve pa limit në debate, lajm nuk përbëjnë më idetë dhe opinionet apo analizat realiste, por sharjet, gjuha banale dhe fyerjet. Media është shpërfytyruar dhe kërkon gjithnjë e më shumë ushqimin e gabuar, duke u investuar gabim në një produkt publik pa asnjë interes për shoqërinë. Politika thuajse është tërhequr plotësisht, duke i shndërruar gazetarët në ushtarë të vullnetshëm ose të pavullnetshëm të saj.
Ky është suksesi më i madh që ka arritur në fakt duke iu shmangur ballafaqimit me realitetin dhe produktin që vetë politika prodhon. Ndërsa gazetarët e shndërruar në mercenarë tani ndjehen zotër të vëmendjes publike që përpiqen ta mbajnë me çdo kusht duke shkelur çdo skrupull dhe vijë etike këtë arenë që tani iu është lënë atyre nga politika. Përmbysja e madhe ka ndodhur.
Politika kundron njerëzit e medias dhe mercenarët e saj sesi “kacafyten” netëve ekran më ekran e program më program për famë e protagonizëm. Ndërsa për vete ka rezervuar kohën parlamentare ku luan live çdo javë një seancë teatrore ku bëjnë sikur po bëjnë dhe në fund asgjë nuk bëjnë në emër të idealeve të majta apo të djathta të cilat as nuk i njohin e as nuk duan t’i njohin.
Për ta funksion më së miri parimi “thuaj atë që njerëzit duan, e bëj atë që të intereson”. Një lojë që i nxjerr të gjithë të fituar, përveç popullit. Ai humbet gjithnjë, edhe kur mendon se zbavitet me sherret banale që ndjek plot etje në ekrane televizive e media elektronike portative. Shfaqje falas për kënaqësi momentale, por me kosto shumë të madhe për jetën reale.
Gazetarin e ngre pamvaresia dhe aftesia profesionale e lidhur kjo dhe me gjendjen ekonomike te tij