Katër persona janë shpëtuar nga ekipi i kërkim-shpëtimit pas ortekut që ka rrëshqitur ditën e sotme në Brezovicë.
Nga Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës kanë deklaruar se po vazhdon kërkimi edhe pse deri më tani nuk ka shenja se edhe persona të tjerë mund të jenë në zonën ku ka rrëshqitur orteku.
“Ne kemi qëllu në Brezovicë. Për momentin nuk ka ndonjë shenjë që ka persona të tjerë që po mungojnë, por ne po vazhdojmë kërkimin për çdo rast, jemi këtu. Kanë qenë katër persona që fatmirësisht kanë shpëtuar. Jemi duke mbledhur informata sepse ka fjalë se mund të jetë edhe dikush brenda, mirëpo në bazë të kërkimeve të para nuk është askush. Orteku ka rënë jashtë pistës së skijimit”, thanë nga Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës për Telegrafin.
Ndryshe, ditë më parë ekipet e kërkim-shpëtimit kishin paralajmëruar se mund të ketë lëshim të ortekëve për shkak të reshjeve të borës.
/b.h