Krahas votimit për zgjatjen e afatit të organeve të Vettingut ditën e sotme do të kalojnë për miratim edhe 2 komisione parlamentare.
I pari që e lajmëroi këtë gjë ishte kryedemokrati Basha, i cili tha për gazetarët “që sot Kuvendi i Shqipërisë do të kalojë edhe miratimin e dy Komisioneve të rëndësishme që janë prioritete kombëtare”.
Bëhet fjalë për Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Territoriale dhe atë për Reformën Zgjedhore. Gazetarja Klesiana Omeri ka zbardhur projektvendimin e dërguar në parlament për ngritjen e komisioneve.
“Komisioni i Posaçëm ka për objekt të veprimtarisë së tij: a) përcaktimin e kritereve për ndarjen e re administrativo-territoriale në Republikën e Shqipërisë; b) hartimin dhe përcaktimin e kalendarit të zbatimit të reformës administrative-territoriale; c) përgatitjen e projektit për ndarjen e re administrativo-territoriale në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në objektin e veprimtarisë së komisionit të posaçëm për “Territorialen”.
Ndërkohë sa i përket komisionit të posaçëm për Zgjedhoren thuhet se “Komisioni ka për detyrë hartimin e ndryshimeve legjislative për Reformën Zgjedhore, në vecanti për trajtimin e rekomandimeve të raporteve të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 25 Prillit 2021 dhe zgjedhjeve të mëparshme të patrajtuara, rekomandimeve të institucioneve përgjegjëse për zgjedhjeve, partive politike parlamentare dhe organizatave jofitimprurëse”.
/a.r