Policia suedeze po hetohet për fshehje të disa sulmeve seksuale të bëra gjatë një koncerti, i cili u mbajt në Stokholm gjatë gushtit të vitit 2015. Në këtë event, i cili është një prej më të mëdhenjve të llojit të tij në Europë, marrin pjesë adoleshentë të moshave nga 12 deri në 17 vjeç.
Sipas asaj që kanë raportuar mediat vendase, më shumë se 50 persona, kryesisht të rinj emigrantë, kanë sulmuar seksualisht vajzat që ndodheshin në koncert.
Megjithatë, për arsye që ende nuk dihen, kjo ngjarje është mbajtur e fshehtë nga Policia.
Një lajm i tillë vjen vetëm pak ditë pas skandalit që shpërtheu në Këln të Gjermanisë gjatë mbrëmjes së ndërrimit të viteve. Edhe aty, qindra vajza u sulmuan seksualisht nga të rinj që ishin kryesisht azil-kërkues.
Lajmi i përcjellë së fundmi në Suedi e ka rritur së tepërmi pakënaqësinë e qytetarëve. Shumë prej tyre e kundërshtojnë ashpërsisht strehimin e emigrantëve.
Vetëm gjatë vitit të shkuar në Suedi kanë mbërritur më shumë se 160.000 azil-kërkues.