Ambasadori i Rusisë në BE ka deklaruar se vendi i tij ende beson se diplomacia mund të jetë rruga për të zgjidhur krizën midis Ukrainës dhe Rusisë. Vladimir Chizhov tha se Moska nuk ka ndërmend të pushtojë asnjë vend, por paralajmëroi se Rusia nuk duhet të provokohet që të ndryshojë mendje.
Ndërkaq, mbi 100,000 trupa janë grumbulluar pranë kufirit me Ukrainën. Disa prej vendeve perëndimore bashkë me SHBA-të kanë paralajmëruar se një sulm rus mbi Ukrainën mund të ndodhë në çdo kohë.
Në vitin 2014 Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë. Që atëherë ka pasur një konflikt të gjatë në Ukrainën lindore, ku separatistët e mbështetur nga Rusia kontrollojnë një pjesë të territorit dhe të paktën 14,000 njerëz kanë mbetur të vrarë.
Të enjten Rusia do të nisë 10 ditë stërvitje të përbashkëta ushtarake në Bjellorusi, fqinji verior i Ukrainës dhe një aleat i ngushtë i Rusisë. Rreth 30,000 trupa ruse pritet të marrin pjesë.
Një zëdhënës i Kremlinit tha se stërvitjet e përbashkëta ishin serioze, por ai vuri në dukje se natyra e kërcënimeve është me lartë se më parë.
Megjithatë, sipas Chizhov trupat ruse të stacionuara aktualisht në Bjellorusi do të kthehen në bazat e tyre të përhershme pas stërvitjeve, transmeton BBC.
Nga ana tjetër, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha se stërvitjet janë përshkallëzuar mes tensioneve të larta në rajon.
g.kosovari