Nga Mero Baze
Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Europian dhe sot OSBE, kanë bashkuar thirrjen që Kuvendi i Shqipërisë të zgjasë afatin e Vetingut për gjyqtarët dhe prokurorët, me qëllim që procesi të ruajë integritetin e vet dhe të ketë një standart për gjithë trupën e drejtësisë në Shqipëri.
Vonesat në veting, të cilat janë kryesisht vonesa që kanë ardhur për arsye logjistike dhe burime njerëzore të pamjaftueshme, nuk janë vonesa të cilat i ka prodhuar politika.
Por nëse afati i vetingut nuk shtyhet, atëhere procesi i mëtejshëm i vetingut kthehet në betejë politike mes Berishës e Metës nga një anë, dhe Partisë Demokratike nga ana tjetër.
Partia Socialiste del e fituar, pasi në rast dështimi, vetingu është kompetencë e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dy institucione ku politika ka më shumë ndikim se sa tek Komisionet e Vetingut, ku prania ndërkombëtare është vendimtare.
Partia Demokratike, e cila po përjeton krizën e ndarjes së saj nga Sali Berisha dhe anti-amerikanizmi i tij, ka aktualisht vetëm një ideologji të sajën, me të cilën po bën betejë me Sali Berishën dhe Ilir Metën, dhe ajo është qënia në një gjatësi vale me Perëndimin, pra me SHBA dhe BE në politikat e saj.
Nuk jam shumë i bindur se socialistët janë të lumtur që po shtyhet vetingu, por siç ka ndodhur dhe herë të tjera, Edi Rama e ka aftësinë që të nxjerrë gështenjat me duart e tjë tjerëve dhe vetë të ruajë kohezionin me SHBA e BE.
Në këtë rast, Partia Demokratike duhet të lërë mënjanë komplekset e saj nga akuzat e Sali Berishës dhe Ilir Metës dhe duhet ta udhëheqë këtë proces vetë. PD është në luftë me çiftin Berisha- Meta pikërisht për raportet me Perëndimin, dhe është alogjike që tani Perëndimi të dalë me thirrje për t’i mbushur mendjen shumicës në Parlament, të votojë vetingun.
Kur Perëndimi del me thirrje si kjo e dy ditëve të fundit, ata i adresohen Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, pasi Berisha-Meta janë të qartë dhe të sinqertë në këtë betejë. Ata kanë deklaruar votën kundër qëndrimit të Perëndimit për vetingun.
Siç ndodh në këto raste, Edi Rama thotë jam dakord por flisni me PD, duke larë duart nga përgjegjësia e tij.
Partia Demokratike duhet ta trajtojë sfidën për vetingun, jo si e kompleksuar nga çifti Berisha-Meta, por nga e kundërta, për t’i sfiduar ata.
Kjo është ndarja reale në PD, dhe nëse PD humbet votat në këtë proces, thjesht ka humbur disa deputetë të tjerë në raport me Sali Berishën.
Kjo është betejë që tregon vijën ndarëse me Perëndimin në politikën shqiptare. Kush ngelet matanë vijës, është në llogoren e Sali Berishës dhe Ilir Metës, që për hir të së vërtetës janë të qartë dhe pa komplekse në këtë betejë.
Është kjo arsyeja që këtë proces duhet ta udhëheqë Partia Demokeatike dhe ta diktojë si provokim ndaj çiftit Berisha- Meta, dhe jo të bëjë sikur e udhëheq PS dhe këta ti shkojnë pas.
Partia Socialiste në të vërtetë ka më shumë interes që vetingu të kalojë në KLP apo KLGj, ndërsa PD, që ka disa muaj që kërkon të demaskojë Berishën si anti-amerikan, tani që Berisha del hapur në qëndrimin e tij kundër SHBA, heziton.
Pra tani që ata duhet t’i tregonin shqiptarëve me gisht Berishën, fshihen, ndërsa kanë muaj që lodhen t’u thonë shqiptarëve se Berisha nuk e ka me Bashën, por me SHBA.
Vetingu dhe reforma në drejtësi, janë kauza të Perëndimit në Shqipëri, dhe është qesharake që me Berishën e Metën, Partia Demokratike të ndahet për shkak të SHBA, dhe me SHBA e BE të ndahet për shkak se nuk del dot kundër Berishës dhe Metës.