10 kandidatë kanë paraqitur aplikimin e tyre në presidencë pas përfundimit të afatit për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese që u krijua pasi gjyqtarit Përparim Kalo i mbaroi mandati.
Në listë janë edhe ish-kryeprokurorja Arta Marku dhe kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë Gent Ibrahimi.
Presidenca ka bërë me dije se lista do i përcillet Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për secilin kandidat në mënyrë që të kryhet verifikimi për figurën e tyre në përputhje me kërkesat e ligjit.
Njoftimi
Pas përfundimit të afatit të aplikimit për vendin vakant gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, “Vakancë e plotë”, e krijuar për shkak të deklarimit të mbarimit të mandatit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese në datën 08.04.2022, të zotit Përparim Kalo, me vendim nr. 42 datë 22.12.2021, të Gjykatës Kushtetuese, procedurë aplikimi kjo e shpallur me Dekretin nr. 13413, datë 13.01.2022, të Presidentit të Republikës, rezulton se kanë shprehur interes dhe kanë aplikuar shtetasit e mëposhtëm:
Zonja Ardita Buna
Zonja Arta Marku
Zonja Arta Vorpsi
Zoti Besnik Dervishi
Zonja Elida Take
Zoti Gent Ibrahimi
Zonja Juliana Latifaj
Zoti Maksim Qoku
Zonja Manjola Xhaxho
Zoti Sandër Beci
Lista e aplikantëve të mësipërm dhe dokumentacioni për secilin kandidat i përcillen menjëherë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, për verifikim dhe vlerësimin e tyre në përputhje me kërkesat e Kushtetutës dhe të ligjit.
Institucioni i Presidentit të Republikës, referuar pikës 2 të nenit 7/b, të ligjit nr. 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar, gjen rastin të kujtojë se, të gjitha institucionet publike që kanë lidhje me sistemin e drejtësisë, organizata të shoqërisë civile me veprimtari në mbrojtjen e të drejtave të njeriut ose të krijuara për mbrojtjen e interesave të përdoruesve të sistemit të drejtësisë, mund të paraqesin opinionet e tyre në lidhje me kandidaturat pranë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
/b.h