Princi Leka II ka deklaruar se synimi i jetës së tij është rikthimi i monarkisë. “Kjo është kauza e Familjes Mbretërore brez pas brezi, por jo vetëm. Kjo kauzë është jo thjesht brenda Familjes, por në një pjesë të konsiderueshme të popullit shqiptar, siç edhe u shpreh në Referendumin popullor, megjithë manipulimet e bëra nga politika e atyre viteve. Nëse sot populli është i kënaqur nga politika e këtyre viteve është e drejta e tij të shijojë frytet e kësaj kënaqësie, në të kundërt është atribut i tij të kërkojë në kohën e duhur ndryshimin e formës së sistemit”, thotë Leka II në një intervistë me tesheshi.com, duke vazhduar se motoja e tij dhe e familjes mbetet “Atdheu mbi të gjitha”.
Leka ka punuar për një periudhë në institucione të shtetit shqiptar, por këtë nuk e sheh në kundërshtu me synimin për rikthimin e monarkisë.
“Të punosh për Republikën e vendit tënd nuk do të thotë “të tradhtosh” Mbretërinë, për më tepër në një sistem demokratik. Të dyja këto janë forma sistemesh dhe është populli ai që i parapëlqen dhe vendos për njërën apo tjetrën. Së dyti, edhe me miratimin e babait tim, unë si i ri që isha dhe jam duhet të grumbulloja një përvojë pune institucionale aq të domosdoshme për funksionimin e shtetit, cilado qoftë forma e tij dhe mendoj se nuk kam bërë gabim, duke u njohur me problemet qysh nga Ministria e Jashtme, Ministria e Brendshme, e deri tek Presidenca”, thotë pretenduesi i fronit mbretëror.