Presidenti Ilir Meta është pyetur nga gjyqtaret e “Kushtetueses” edhe në lidhje me prezencën fizike në zyrat e FRD-së, ku u përplas me policinë bashkiake.
Pyetje: Pse zgjodhi Presidenti të shkojë fizikisht në selinë e një partie politike?
Përgjigje: Është tërësisht në diskrecionin e Presidentit të Republikës të zgjedhë formën se si zhvillon takime, vizita, ndërmerr veprime, apo si ndërvepron me qytetarët, aktorët politikë, apo ata institucionale. Në çdo rast, Presidenti i Republikës, në respekt të ligjit, ka komunikuar për ngjarje apo situata të caktuara me shkrim, apo me praninë e tij të drejtpërdrejtë. Në respekt të plotë të kësaj mënyre veprimi, ligjore dhe institucionale, ka komunikuar edhe në rastin e kësaj ngjarjeje të shëmtuar, të provokuar në mënyrë të paligjshme nga Bashkia e Tiranës, ndaj një subjekti politik, në shenjë hakmarrjeje vetëm për faktin se ishte regjistruar në koalicionin opozitar. Sulmi politik ndaj një partie politike nga policia, sidomos gjatë periudhës zgjedhore cenon interesin publik. Për më shumë, aktet që vërtetojnë veprimet e dhunshme e të paligjshme të Bashkisë Tiranë, i janë bashkëlidhur parashtresave të depozituara.
24 orë pas seancës së fundit në Gjykatën Kushtetuese për shkarkimin e tij, Presidenti Ilir Meta ka publikuar përgjigjet mbi 72 pyetjet që i janë bërë nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.
g.kosovari