Presidenti Ilir Meta ka shpjeguar kërcënimet e tij me popullin e “2 marsit”, madje edhe ka përkufizuar se kujt i referohet kur përmend këtë kategori.
Keni përmendur shpesh “popullin e 2 marsit”. Cila është sipas jush kjo kategori, duke vlerësuar pjesëmarrjen e popullit në zgjedhje dhe rezultatet zyrtare të KQZ- së për pjesëmarrjen në zgjedhje dhe votat e marra nga shumica qeverisëse.
Përgjigje: Populli i 2 marsit, përfaqëson të gjithë shqiptarët, të cilët duan të qeverisen vetëm nga Kushtetuta dhe ligji, që duan demokracinë dhe jo autokracinë, dhe nuk duan t`i nënshtrohen asnjë abuzuesi dhe shkelësi të ligjit, qoftë ky Kryeministër, ministër, funksionar publik apo politik, i çdo lloji a niveli qoftë.
Populli i 2 marsit është ai që i vuri gjoksin mbrojtjes së Kushtetutës dhe mbështeti Presidentin e Republikës, duke frenuar mazhorancën që të instalonte formatin e “betimit të gjykatësve kushtetues tek noteri (te Lana)”; duke parandaluar përdhosjen brutale të shtetit të së drejtës. Populli i 2 marsit ishte populli që kërkonte ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, sipas parashikimeve vetëm të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Populli i 2 marsit janë të gjithë shqiptarët që duan ta shohin Shqipërinë si vend anëtar të Bashkimit Evropian, ku sundon vetëm shteti ligjor, dhe jo shteti i kapur apo drejtësia me regji (partiake).
Populli i 2 marsit është pa asnjë diskutim, një shqetësim shumë i madh për këdo që shkel Kushtetutën, ligjin, cenon interesin publik e kombëtar, dhe në këtë mënyrë kërkon të abuzojë në kurriz të djersës, mundit, dhe sakrificave të qytetarëve të thjeshtë, të ndershëm e patriotë të vendit tonë.
/a.r