Nga Ferencvaros te Granada, kjo ishte lëvizja e sulmuesit të kombëtares sonë në ditën e fundit të merkatos së dimrit. Një hap i madh në karrierë, një trajektore në ngjitje për futbollistin që adhuron Cristiano Ronaldon. Gazeta spanjolle “AS” i ka kushtuar një shkrim beratasit 27-vjeçar, i cili pritet të debutojë në La Liga ndaj Real Madridit:
“Myrto Uzuni (Berat, Shqipëri, 31.05.1995) nuk e ka pasur jetën e lehtë. Një futbollist i vetëbërë, që e admironte gjithmonë Cristiano Ronaldon dhe që sapo ka zbritur në La Liga me Granada. Ai është një nga bastet e skuadrës “nasrid” në këtë merkato dimërore dhe për të cilin ka disbursuar afro tre milionë euro. Një anësor i lidhur shumë me golin, plot ambicie dhe shumë nerva.
Uzuni e arriti famën më 25 nëntor 2020. Në atë kohë, shqiptari luante për Ferencvaros dhe goli i tij i kaloi hungarezët në avantazh në Torino, ndaj Juventusit të idhullit të tij: Cristiano Ronaldo. Shqiptari nuk hezitoi të festonte me të famshmen Siiiiiiiuuuuuuuuuuuu mu nën hundën e ylli portugez.
Në fillim nuk e mori mirë, por Cristiano shënoi një gol të mrekullueshëm dhe Juve përfundoi duke fituar 2-1. Pas ndeshjes, Uzuni mundi të takohej me CR7 dhe të shkëmbenin fanellat, pa u shfaqur nga Cristiano ndonjë inat për imitimin. Ky është trofeu i tij më i çmuar.
Shqiptari ka lexuar gjithçka për portugezin, i cili është “pasqyra” e tij në futboll. Jeta e bëri atë një emigrant ilegal në Greqi, ku mbërriti për një jetë më të mirë. Prindërit e tij punuan shumë në tokat helene për të mbajtur familjen, por Uzuni, duke qenë ilegal, nuk mund të luante futboll në Greqi.
Ai u kthye në vendin e tij për të luajtur futboll në moshën 16-vjeçare. Përpjekja e familjes së tij, e cila la jetën e re në Greqi për ëndrrën e të birit, u shpërblye dhe sot Uzuni jeton nga futbolli, pasioni i tij. “Cristiano është referenca ime, e di historinë e tij, kam lexuar gjithçka për të. Ishte motivimi im”, – shpjegon ai.
Tani, sulmuesi shqiptar do të shkelë në “Bernabéu”, tempullin ku idhulli i tij u bë edhe më i madh, Natyrisht, zbarkon aty me ëndrrën për të qenë në gjendje të bërtasë një tjetër Siiiiiiiiiiuuuuuuuuuuuu në atë që ka qenë shtëpia e portugezit për kaq shumë vite”./telesport