Lëvizja Socialiste për Integrim i është përgjigjur Partisë Demokratike. Selia blu sulmoi sot koalicionin “Shtëpia e Lirisë”, pasi Sali Berisha prezantoi kandidatin për Durrësin.
Sipas PD-së asnjë nga kanditatët e 3tij nuk përfaqësojnë demokratët, por Ilir Metën. Sakaq, LSI thekson se është e distancuar nga lufta e brendshme që Basha ka nisur ndaj Berishës.
Sipas LSI Basha, të cilit ata i referohen si deputet “nuk është opozitar i vërtetë, dhe nuk ka asnjë lidhje me opozitarët e vërtetë, brenda apo jashtë Partisë Demokratike.”.
Kjo forcë politike thekson gjithashtu se ‘në zgjedhjet e 6 Marsit, LSI dhe PDK i ka mundësuar anën formale kandidatëve të Komisionit të Rithemelimit të PD, për tu regjistruar.” “Nëse ai do t’i qëndronte fjalës me LSI dhe demokratët e protestave më madhështore që ka njohur Shqipëria, sot ai do të ishte kryeministër’, thuhet në deklaratën e LSI.
Reagimi i plotë:
LSI distancohet dhe nuk ka asnjë rol në luftën e brendshme që deputeti Basha ka nisur ndaj liderit historik të PD si dhe ndaj deputetëve, drejtuesve e anëtarëve të PD, që kanë votuar shkarkimin e tij.
Luftra të tilla përçarëse brenda opozitës, i shërbejnë vetëm Ramës.
Deputeti Basha nuk është opozitar i vërtetë, dhe nuk ka asnjë lidhje me opozitarët e vërtetë, brenda apo jashtë Partisë Demokratike.
LSI e ka bërë kryetar bashkie në 2011 deputetin Basha, e më parë Ministër në qeverisjen e suksesshme PD-LSI 2009-2013.
LSI i ofroi bashkëpunim pakushte deputetit Basha në opozitën 2017-2021.
Nëse ai do t’i qëndronte fjalës me LSI dhe demokratët e protestave më madhështore që ka njohur Shqipëria, sot ai do të ishte kryeministër.
Por, deputetit Basha nuk i intereson largimi i Ramës. Sot interesi i vetëm i tij është të ketë një vulë, që përmes saj të vazhdojë ashtu siç ka bërë para dhe gjatë 25 Prillit, të firmosë marrëveshje financiare me Kryeministrin Rama.
LSI do të vazhdojë të paraqitet para shqiptarëve si një opozitë e vërtetë. Për të gjithë ata qytetarë, të majtë, të qendrës, demokratë apo pa parti, që shohin se si lidershipi i tyre ka tradhëtuar kauzat kombëtare për të pasuruar veten dhe bashkëpunëtoret pranë tyre.
Në zgjedhjet e 6 Marsit, LSI dhe PDK i ka mundësuar anën formale kandidatëve të Komisionit të Rithemelimit të PD, për tu regjistruar.
Kandidatët e Shtëpisë së Lirisë janë kandidatë të Komisionit të Rithemelimit, të zgjedhur nga vetë anëtarët e PD përmes primareve të zhvilluara në partinë e tyre.
Demokracia është garë dhe qytetarët meritojnë alternativa të vërteta ndaj qeverisjes, jo kandidatë fallco për një garë me rezultate të paracaktuara, si ajo e 25 prillit.
Si në 25 Prill, ashtu dhe në 6 Mars, një gjë mbetet e sigurtë: Një votë për Bashën, është një votë për Ramën Kryeministër që mban me bukë Bashën në opozitë./m.j