Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka regjistruar në koalicion për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 Marsit koalicionin LSI – Partia Demokristiane, duke mos pranuar Grupin e Rithemelimit të Partisë Demokratike.
Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi, tha pas debateve mes përfaqësuesve të PD e LSI, se “Në vlerësimin përfundimtar, unë vendos që të regjistroj si subjekt koalicionin e partive politike LSI dhe PDK, emri i koalicionit është “Shtëpia e Lirisë” dhe partia udhëheqëse është LSI”.
“Nuk mund të them që pretendimi i përfaqësuesit të PD ishte alogjik por si pretendim nuk ka bazë ligjore. Jemi duke rikonfirmuar një kërkesë të përfaqësuesit të LSI për të patur një koalicion zgjedhor në këto zgjedhje.
Lidhur me përmbajtjen të pretendimit të përfaqësuesit të PD, vlerësoj se ai pretendim qëndron, për sa i përket disa aspekteve. Nuk qëndron kërkesa për ta kthyer për plotësim sepse do të ishim në këtë situatë nëse do të kishim mungesë të dokumentacionit përkatës.
I kemi të gjithë elementët për të regjistruar një parti politike, kemi dhe diçka më shumë të cilën ne vlerësojmë që është e panevojshme. Jemi në situatën kur kërkesa reflekton konfliktualitet. Kërkesa që reflekton elementë të PD nuk mund të pranohet. Vendos të regjistroj në zgjedhje koalicionin Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Demokristiane e Shqipërisë”, u shpreh kryetari i KQZ Ilirjan Celibashi.
/javanews/a.r