Përfaqësuesi ligjor i PD-së, Marash Logu ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzimin e kërkesës së koalicionit “Shtëpia e lirisë”, e grupimit të Sali Berishës dhe LSI-së, për regjistrimin në zgjedhjet e 6 marsit.
Marash Logu ka renditur dy elemente që sipas tij, nga ana ligjore e bëjnë të pamundur procedimin nga ana e KQZ për të regjistuar si koalicion “Shtëpia e lirisë”.
Arsyeja e parë është sipas Logut se kërkesa për regjistrimin e koalicionit është bërë jashtë afateve, pasi LSI nuk e kishte fituar ende statusin subjekt zgjedhor në KQZ.
Ndërsa elementi i dytë që theksoi përfaqësuesi ligjor i PD-së është se në marrëveshjen e koalicionit dhe në kërkesën për regjistrim, referenca për partinë drejtuese politike mund të bëhet me PD-në e drejtuar nga Lulzim Basha, në kohën që aty përmendet si parti “PDSH-Koalicioni i Rithemelimit.
“Neni 65 kërkon që pjesë e koalicioneve të jenë partitë politike të regjistruara. Kërkesa e LSI është depozituar në datën 31 janar, në një kohë kur vetë LSI nuk e kishte fituar cilësinë e subjektit zgjedhor. Edhe PDK është regjistruar si subjekt pasi kishte paraqitur kërkesën për regjistrim në koalicion. Do ishim sot në shkelje të ligjit nëse do të procedonim në këtë kërkesë. Partitë janë regjistruar me 2 shkurt. Dje ka qenë afati për regjistrim koalicioni dhe nuk ka pasur asnjë kërkesë për regjistrim koalicioni. Kjo kërkesë duhet rrëzuar dhe nuk duhet pranuar. Një element tjetër është fakti se nga leximi që i bëjmë kërkesës por edhe vetë marrëveshjes brenda është ‘PD, Komisioni i Rithemelimit’. Në faqen e dytë thuhet se partitë përbvërëse të koalicionit janë ‘LSI, PD Komisioni i Rithemelimit dhe PDK. Gjithashtu thuhet se drejtuese e koalicionin është Partia Demokratike e Shqipërisë Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit. Kush autorizoi që në emër të PD të bëhej kjo marrëveshja. Nuk ka një subjekt zgjedhor tjetër me emrin ‘PD Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit”, tha ai.
Përfaqësuesi i LSI thotë se “Janë listuar të gjitha elementet e nevojshme që ligjvënësi kërkon për një koalicion, shkronja nistore, sigla dhe bashkëngjitur marrëveshja e përfaqësuesve te koalicionit”
Ai foli më shumë politikisht duke thënë me PD-në nuk kërkonte askush që të bënte koalicion, duke i kujtuar edhe Kuvendin e 18 dhjetorit me numrin e delegatëve.
“Ligji duhet lexuar sic thotë ligji, jo sic do një parti. Nuk lexohet si 1900 karrike për 5004 të tilla”, tha Altin Kaziaj.
Ndërsa Logu iu përgjigj me të njëjtat argumente duke shtruar pyetjen: “Çfarë do kishte ndodhur nëse Komisioneri vendoste të mos e regjistronte si subjekt zgjedhor LSI dhe PDK? Do kishim një kërkesë absurde për koalicion. Kjo është arsyeja pse respektohen afatet”.
g.kosovari