Analisti Frrok Çupi ka komentuar deklaratën e bërë dje në Parlament nga ish-kryeministri Sali Berisha, se Moska po kërcënon Shqipërinë, ndërsa ka shpërthyer në sulme dhe akuza të forta në adresë të ish-liderit demokrat.
Gjatë një prononcimi për gaztën “SOT”, analisti i njohur Çupi shprehu bindjen se Berisha po përdor konfliktin në Ukrainë-Rusi për t’iu lëpirë Uashingtonit, ndërsa theksoi se ish-kryeministri po tenton të gjejë rrugë shpëtimi nga makthi amerikan.
Sipas zotit Çupi, Berisha është një antiperëndimor.
“Makthi i madh i Sali Berishës është Amerika. Ka gjetur luftën në Ukrainë si një mjet për t’iu lëpirë Amerikës. Mendon se Shtetet e Bashkuara të Amerikës emocionohen me fjalët boshe kundër Rusisë. Ndërkohë flet me vete dhe me njerëz rrotull që mendon se i mashtron me luftë kundër Rusisë. Sali Berisha ka frikë nga hija e tij pro Lindje dhe kundër Amerikës, prandaj bërtet kundër Rusisë. Si shkruan shkrimtari amerikan Mark Twain? “Njeriu që deklarohet fort si i ndershëm, ta dish se është e kundërta”, deklaroi ai për gazetën “SOT”.
Çupi: Berisha është në grahmat e fundit
Më tej gjatë reagimit të tij për gazetën “SOT”, analisti Frrok Çupi u shpreh se ish-kryeministri Sali Berisha është në grahmat e fundit të jetës së tij politike, duke shtuar se me lëvizjet e tij po tenton të bëhet protagonist. Por siç theksoi zoti Çupi, zoti Berisha është i vetëdijshëm që edhe në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit do të dështojë, andaj dhe sipas tij, po prodhon debat. “Sali Berisha është në pikën e fundit të flakës së kandilit. Vjen vërdallë ku mund të hapet një dritëz. Tani po i mbyllet edhe shpresa se mund të fitojë ndonjë kandidat. Sali Berisha me Partinë Demokratike i ka larë duart”, u shpreh ai për gazetën “SOT”. Më herët gjatë një interviste për gazetën “SOT”, analisti Çupi akuzoi presidentin Ilir Meta dhe ish-kryeministrin Sali Berisha se janë bërë bashkë kundër amerikanëve. “Ilir Meta po bën ushtrime force për orët pas presidencës. Në fakt ka kohë që e ka nisur këtë trajtim force, të paktën që nga pranvera e vitit 2020 kur nga Pogradeci deklaroi se do të ishte një viktimë e amerikanëve si presidenti Allende. Por kjo nuk ndodhi atëherë. Meta i ka marrë hov disa herë goditjes mbi Amerikën. Dalja nga presidenca i jep lirësinë që ta kryejë këtë akt, sipas mendjes së tij. Sapo të dalë nga presidenca ai do të hyjë në politikë; mendon se LSI do të jetë ushtria e tij antiamerikane. Është e njëjta skemë ku hyri Berisha dhe ku po lë kokën. Berisha mendoi të përdorë PD-në si “kokë dashi” për të goditur Amerikën, ndërsa Meta mendon LSI-në si armë Mesjetare”, tha ai. Më tej analisti Çupi akuzoi presidentin Ilir Meta se është interceptuar në trafiqe të forta droge e njerëzish. “Besoj se Ilir Meta është në të njëjtin komplot antiamerikan bashkë me Saliun. Ngjarjet e fundit në Ukrainë i kanë bërë që të shpresojnë se po u vjen dita. Unë besoj se Meta është interceptuar në trafiqe të forta droge e njerëzish, edhe jashtë kontinentit tonë, ku dëmtohen edhe interesat amerikane. Besoj se lojërat që luan Mona me Ilirin dhe Saliun, sikur “u ndanë sot e u bashkuam nesër”, bëhen vetëm për të ruajtur një pjesë të pasurisë së vjedhur nga publiku”, nënvizoi analisti Frrok Çupi për gazetën “SOT”.
/a.r