Për Ankaranë është një çështje shumë e rëndësishme. Qeveria turke po përpiqet të mbajë raporte të mira si me Rusinë ashtu edhe me Ukrainën. Një pushtim rus i Ukrainës do ta vendoste Ankaranë para një dileme shumë serioze. Kjo është edhe arsyeja pse presidenti turk Recep Tayyip Erdogan dëshiron të ndërmjetësojë. Të enjten ai do të shkojë në Kiev, e menjëherë më pas në Turqi pritet për vizitë presidenti rus Vladimir Putin. A ka shanse reale Erdogani të shmangë krizën me përpjekjet e tij diplomatike dhe të parandalojë një pushtim rus? Shumë ekspertë e konsiderojnë këtë synim si të pashpresë.
Pak shpresa
Një prej tyre është edhe politologu dhe eksperti i Rusisë, Aydin Sezer. Sipas tij, Erdogani nuk mund të veprojë si ndërmjetës i pavarur, sepse Turqia është anëtare e NATO-s dhe si e tillë ka një pozicion të caktuar – atë të NATO-s. Përveç kësaj, Moska deri tani ka hedhur poshtë propozimet e Ankarasë.
As Ragip Kutay Karaca, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Aydin në Stamboll, nuk beson në suksesin e nismës së Erdoganit. Në samitin e fundit Turqi-Ukrainë, presidenti turk theksoi edhe një herë shprehimisht mbështetjen e plotë të vendit të tij për Ukrainën. Në fakt, në samitin e fundit, Erdogani kundërshtoi sërish njohjen e Krimesë si territor rus. Ai u paraqit gjithashtu si mbrojtësi i tatarëve të Krimesë, e kreu i shtetit turk foli me krenari për projektet e xhamive dhe vendbanimeve për ta.
Moska është e zemëruar edhe për shkak të dërgimit të droneve luftarake turke në Ukrainë. Disa javë më parë, Putin e ka kritikuar hapur palën turke, për shkak se në Donbas janë parë drone të Turqisë. Ato janë vënë atje kundër forcave pro-ruse, pra kundër separatistëve. Putin akuzoi Turqinë edhe për mbështetjen e tepërt të Kievit dhe i bëri të qartë këtij vendi të rishqyrtojë politikat e tij.
Turqia varet nga gazi rus
Marrëdhëniet midis Turqisë dhe Rusisë janë të ndërlikuara. Si një anëtare e NATO-s, Turqia blen sisteme ruse të mbrojtjes – pavarësisht mosmiratimit të NATO-s dhe SHBA-së. Ndërsa në çështjet e Libisë, Sirisë, Nagorno-Karabahut dhe Ukrainës e kundërshton Rusinë.
Këto vende kanë marrëdhënie të mira ekonomike, por Turqia varet nga gazi rus. Vendi në Bosfor mbulon pothuajse të gjitha kërkesat e tij për energji nga jashtë. Turqia ka konsumuar gjithsej 48.1 miliardë metra kub në vitin 2020, ndërsa 33.6 miliardë metër kub kanë ardhur nga Rusia. Shkalla në të cilën Turqia është e varur nga gazi i jashtëm u pa edhe një herë shumë qartë javën e kaluar. Për shkak të një defekti teknik, Irani ndaloi furnizimin me gaz. Pasojat: prodhimi në industri u ndal për disa ditë.
Ndaj shefi ekzekutiv i kompanisë energjetike GazDay, Mehmet Dogan është shprehur shumë i shqetësuar. “Le të supozojmë rastin më të keq”, thotë ai, duke përshkruar situatën me të cilën mund të përballet Turqia. “Nëse konflikti përshkallëzohet në verë dhe Rusia mbyll furnizimin me gaz, çmimet e gazit do të rriten në qiell. Më pas duhet të kalojmë te gazi i lëngshëm i shtrenjtë”, thotë ai. E nëse kjo ndodh në dimër dhe Rusia ndalon dërgesat, Turqia nuk do të kishte fare shanse, thotë Dogan. “Atëherë ne kemi mbaruar.”
Por Turqia nuk është e varur vetëm në sektorin e energjisë. Vendi është i varur nga Rusia edhe në fushën e turizmit, pasi shumë vizitorë rusë shkojnë në këtë vend për të kaluar pushimet. Ndërkohë që Rusia është një treg i rëndësishëm i Turqisë, veçanërisht për produktet bujqësore.
Marrëdhënie të ngushta ekonomike me Ukrainën
Por edhe Ukraina po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për Turqinë. Turqia ishte vendi me më së shumti investime në Ukrainë në vitin 2020, thotë Burak Pehlivan, kryetar i kompanive turko-ukrainase, i cili jeton në Kiev për 12 vjet. Sipas tij, vëllimi i tregtisë midis Turqisë dhe Ukrainës ka arritur në 7.5 miliardë dollarë vitin e kaluar.
Ndaj Ankaraja synon të bëjë çdo përpjekje për të parandaluar një përshkallëzim të mëtejshëm të krizës në Ukrainë. Sepse ekonomia turke, e cila së fundi ka probleme shumë të mëdha, mund të pësojë dëme të tjera. Ndërsa planet e Erdoganit për të tërhequr më shumë investime në vend me një politikë të normave të ulëta të interesit mund të dështojnë.
Erdogani në Kiev sigurisht që do të solidarizohet me homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelenskyj. Por udhëtimi i tij në Ukrainë nuk do të jetë vendimtar. Shumë më e rëndësishme është vizita e presidentit rus Putin në Turqi. Këtu do të shihet në fakt se sa reale janë mundësitë e Erdgoanit për ndërmjetësim./DW
/b.h