Nga Mero Baze
Gazeta TemA botoi disa video nga mbledhja e aksionerëve të një kompanie produktesh televizive, ku aksionerët debatojnë rreth blerjes së të drejtave të transmetimit të një kampionati, duke pasur në krye të debatit presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, i cili është dhe aksioner i kësaj kompanie.
Videot janë një manual që të bëjnë të kuptosh tipin e biznesmenit politik në Shqipëri.
Siç mund të shikohet në video, ne kemi një president federate futbolli, i cili është aksioner në kompani mediatike që blejnë të drejta televizive, ku përfshihen dhe të drejta të kampionatit shqiptar, aksioner në kompani që sponsorizojnë ekipe futbolli, të cilat pastaj dalin kampion dhe rezultojnë se kanë shitur e blerë ndeshje e dënohen nga UEFA, siç është “Skënderbeu”, dhe partnerë të tij në biznes, të cilët përveç nivelit oridner të bisedës, i bashkon fodullëku, që kanë pas mbështetje politike.
Nga ana tjetër, gjuha primitive e Aleksandër Frangaj, fodullëku i tij që nuk i ka për gjë 1 milion dollarë, tregon deri ku ka shkuar degradimi i lidhjeve politike me median dhe përfshirja e tyre në biznese të mbështetura politikisht.
Dhe si qershi mbi tort ti shikon në debat një bankier si Edmond Leka, i cili nuk ka hall vetëm të zgjidhë problemet e biznesit të tij, por dhe të sulmojë njerëz që për momentin i duken se i prishin punë politikisht Sali Berishës.
Fjala vjen përpiqet të ironizojë Ilir Rusmalin, një jurist me reputacion të pakontestuar në Shqipëri, vetëm pse në momentin që bëhej mbledhja, Rusmali drejtonte seancën e KAS në KQZ dhe nuk i kishte dhënë të drejtë Berishës për një rast.
Kjo tregon se gjithë ai grup që debaton aty, gjithë ai vulgaritet që shfaqet në sytë e publikut, gjithë ata fodullë arrogantë dhe të krimbur nga para të dyshimta të lidhjeve me politikën, në fakt në finale u shkon gjuha ku u dhemb dhembi, tek ata që kanë nga pas në politikë.
Nga ajo video kuptohet lehtë pse Armando Duka nuk heq dorë nga Federata pas gjithë këtyre skandaleve, pasi duhet të heqë dorë nga mbështetja politike me të cilën bën biznes.
Njësoj aty, kupton pse Edmond Leka dhe mediet e tij, janë kaq kohë të shqetësuara pse nuk zhvlerësohet leku në Shqipëri. Nuk është puna se i kanë dhënë kreditë e tyre në euro dhe nuk fitojnë shumë, por kanë qejf ta shikojnë monedhën shqiptare të zhvlerësuar, që dhe të fitojnë lekë, dhe të kënaqin Sali Berishën.
Ndaj beteja kundër Armando Dukës nuk duhet konsideruar si një betejë që duhet zgjedhur një tjetër më i mirë se ai. Duhet kuptuar thellë se nuk bëhet fjalë për të ndërhyrë në garën për Federatën, por nuk duhet lejuar një pisllëk i tillë politik në Federatë, që përpiqet të mbajë pushtetin me politikë. Ky model duhet të zbohet me politikë. Pastaj të rihapet një garë e të fitojë kush të dojë, por jo të triumfojnë lidhjet e politikës me krimin dhe banalitetin.