Parti Republikane është një nga partitë që nuk është regjistruar në zgjedhjet e pjesshme vendore. Në studion e lajmeve në MCN TV Fatmir Mediu deklaroi se ftesë për koalicion ka pasur si nga grupi i rithemelimit ashtu dhe nga Basha, por siç ai u shpreh zgjidhja më e mirë për zgjedhjet do të ishte një kandidat i përbashkët.
Ai tha ndër të tjera se interesat janë të përbashkëta pasi kundërshtari i vetëm është Edi Rama dhe përballë këtij regjimi të korruptuar mund të shkohet vetëm me një opozitë të bashkuar.
“Kemi qenë prej vitesh në krah të PD, por ne kemi insistuar që opozita duhet të jetë e bashkuar sepse kemi përballë një regjim të korruptuar dhe nuk mund të dalim të ndarë në dy kampe, nëse ato nuk arrijnë të bëhen bashkë do ishim thjeshtë një dekor. Kam propozuar për një proces të përbashkët, por pati vetëm diskutime për këtë çështje dhe jo reflektime. Partia republikane prej 30 vitesh ka qenë si një familje me PD dhe unë kam bindjen se republikanët në Shkodër, Vorë, etj do dinë të qasen drejt kandidatëve që mendojnë se janë më të mirët. Ne duhet të organizohemi në maksimumin e marrëdhënieve tona për të mundur kandidatin e vetëm Partinë Socialiste.
Unë kam pasur ftesë nga të dyja fraksionet për koalicion, por pyetja që kam bërë ka qenë se për çfarë vlen ky koalicion nëse nuk nxjerrim një kandidatë të përbashkët. E theksoj se në bindjen time nëse dalim me kandidatë të përbashkët ka shanse për të fituar zgjedhjet me kandidatë të ndarë tregojmë forcë muskujsh brenda partisë. Interesi primar i ynë është që kjo qeverisje të largohet një orë e më parë, por jo të bëhemi pjesë e humbjes. Unë kam bindjen se janë të gjitha mundësitë për të fituar nëse ka një opozitë të bashkuar, rrugë tjetër për tu përballur me këtë regjim nuk ka”, tha Mediu./m.j