Çfarë të mbjellësh, do të korrësh. Kur këtë shprehje proverbiale e vendos në kontekstin politik, mendja shkon tek Partia Demokratike dhe fati që ka përndjekur kryetarët e saj.
Lëvizja e Lulzim Bashës duke përjashtuar Sali Berishën, nuk ishte një risi në skenën politike shqiptare dhe sidomos brenda Selisë Blu pasi që të gjithë ish-kryetarët e kësaj force politike kanë pasur të njëjtin fat, të dëbuar nga partia.
I pari kryetar që u bë armik i partisë ishte Eduard Selami. Historia e tij rozë brenda Selisë Blu përfundoi në vitin 1994 pas dështimit të referendumit të Sali Berishës, në atë kohë president me fuqi ekzekutive.
Dështimi elektoral i PD-së nuk mund të kalonte pa gjetur fajtor dhe i tillë u bë kryetari i partisë Eduard Selami. Në shtypin e kohës, Eduard Selami shprehej se asnjë nuk mund ta përjashtonte nga partia.
“Ata që mendojnë se do të më mbyllin gojën dhe do të më eliminojnë duke më shkarkuar nga funksionet politike e kanë gabim. Kjo kohë tashmë ka kaluar. Tani është koha e konkurrencës së ideve, e konkurrencës së alternativave dhe e aftësive dhe jo koha e prapaskenave dhe e eliminimit”, do të shprehej Selami.
Por ditët që vijuan konfirmuan të kundërtën. Selami u eliminua politikisht. U përjashtua jo vetëm si kryetar, por edhe si anëtar i PD-së.
Përjashtimit nuk i shpëtoi as lideri i lëvizjes studentore, simboli i antikomunizmit në Shqipëri. Kritikat e vazhdueshme që Azem Hajdari bënte ndaj qeverisë Meksi bënë që në janar 1997, lideri Sali Berisha të vendoste përjashtimin e tij nga grupi parlamentar, zyrtarisht ratifikuar si vendim i Kryesisë së PD.
Në seancën e parë plenare të atij viti, Azem Hajdariu iu drejtua parlamentit duke nënvizuar se vendimi është marrë në kundërshtim me statutin, fraza të rikthyera në aktualitet në oborrin e PD.
“Ai që vendos për përjashtimin tim është Kongresi i PD-së, që e pranon propozimin e kryetarit ose jo, në rast se një kompetencë e tillë ndodhet në statut. Por kjo nuk është në statut”, shprehej Hajdari.
Drejtimin e partisë në atë kohë e kishte marrë Tritan Shehu, duke pasur largimin e Selamit, por ngjarjet e vitit 1997 sollën rotacion jo vetëm në karriget e pushtetit.
Sali Berisha la postin e Presidentit të Republikës pas krijimit të qeverisë së pajtimit kombëtar. Pretendimi për timonin e partisë shtoi konfliktin që solli në largimin e Tritan Shehut.
“Saliu tregon që nuk ka nxjerr asnjë mësim dhe nuk ka pësuar asnjë korrigjim nga disfatat. Normale, komunistët disfatat i kthejnë në fitore. Kështu që me këtë rast ai tregon që është i pakorrigjueshëm”, deklaronte Shehu.
Fjalët i mori era dhe të gjithë rigjetën gjuhën me Sali Berishën. Nga Selami, të cilin e kandidoi për deputet, deri te kthimi në Parlament i Tritan Shehut, nën ombrellën e një kryetari tjetër, Lulzim Bashës.
Pas tetë viteve në drejtimin e partisë, Basha i tregoi Berishës se kishte ardhur koha të korrte frymën që kishte mbjellë për 30 vjet në parti. Ndonëse përjashtimi i liderit historik më shumë se vullnet politik i Bashës ishte presion i hapur amerikan.(A2)/m.j