Drejtuesi politik i qarkut të Fierit, Taulant Balla njofton çeljen e fushatës zgjedhore.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla u bën thirrje qytetarëve të Lushnjës që të mbështesin PS dhe kandidaten e saj Eriselda Sefa në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit.
Balla thekson se Eriselda ka nevojë për votëbesimin masiv të lushnjarëve për të vazhduar punët e nisura,
“Erdhi e mirëpritur kjo fushatë e pjesshme zgjedhore në Lushnje. Them e mirëpritur sepse duhej miratimi i domosdoshëm i popullit të kësaj bashkie për ekipin që duhet të zbatojë shumë projekte dhe punë të mëdha në këtë bashki. Me Eriselda Sefa vetëm në pak javë startoi një qasje e re në administrimin e bashkisë. Eksperienca e saj prej 16 vitesh në qeverisjen vendore me fokus tek projektet me donatorët e huaj, e dhanë menjeherë efektin pozitiv, megjithë kohën e shkurtër.
Eriselda ka nevojë për votëbesimin masiv të lushnjarëve për të vazhduar punët e nisura, për të hapur kantiere të reja punësh publike dhe infrastrukturës bujqësore sëbashku me ekipin e saj. Unë kam nderin të drejtoj Partinë Socialiste në Lushnje në këtë fushatë të parë timen aty dhe e di shumë mirë se çfarë duhet të ndryshojmë dhe bëjmë më mirë që lushnjarët të na japin miratimin e tyre. Mbështetja e Kryeministrit Edi Rama dhe Qeverisë për punët e mëdha që kemi filluar dhe që do të fillojmë është në fakt çelësi dhe garancia e angazhimit tonë për të kërkuar votëbesimin dhe mbajtur fjalën e dhënë.
Sot në orën 16.00, në Pallatin e Kulturës që mban emrin e një lushnjareje të madhe – Vaçe Zela, ne startojmë fushatën tonë për t’i kërkuar popullit të mrekullueshëm dhe punëtor të Lushnjes votëbesimin për Eriselda Sefa✅”shkruan Balla në postimin e tij.
/a.r