Këtë javë Amerika dhe Britania u zotuan se do të marrin masa në një shkallë që nuk ishte parë kurrë më parë. “Bombë sanksionesh”, kështu i quajti Bob Menendez, kryetari i komitetit të marrëdhënieve të jashtme të SHBA-së.
Megjithatë, që sanksionet të funksionojnë, aleatët perëndimorë do të duhet të tregojnë unitet dhe të jenë të gatshëm të përballojnë edhe dhimbjen ekonomike që mund ti shkaktojë vendosja e sanksioneve. Historia na ka treguar se kjo mund të jetë sfida e tyre më e madhe.
Pritet që Senati i Amerikës të miratojë paketën e sanksioneve gjatë ditëve në vijim. Sipas informacioneve sanksionet që po hartohen mund të vihen në zbatim përpara pushtimit, si përgjigje ndaj aktiviteteve që Rusia ka ndërmarrë tashmë, të tilla si sulmet kibernetike dhe operacione e dizajnuara për të destabilizuar Ukrainën nga brenda, raporton abcnews.al
Sipas zyrtarëve amerikanë, sanksionet e administratës do të synonin kompani dhe personalitete që janë shumë pranë Putinit, si dhe të afërmit që ata përdorin ndonjëherë si përfaqësues për zotërimin e aseteve – megjithëse zyrtarët nuk kanë pranuar të përmendin asnjë prej tyre. Besohet se ky grup është më i gjerë dhe më i afërt me Putinin sesa ai i shënjestruar pasi Rusia aneksoi Krimenë në vitin 2014.
Qëllimi do të ishte të shkëputeshin objektivat nga sistemi financiar ndërkombëtar, duke komplikuar marrëdhëniet e tyre të biznesit. Britania po bashkëpunon me Amerikën. Më 31 janar, sekretarja e saj e jashtme, Liz Truss, njoftoi zyrtarisht një ligj të ri sanksionesh, të cilin ajo shpreson që do të jetë në fuqi deri më 10 shkurt.
Qëllimi është të zgjerohet grupi i oligarkëve dhe miqve të tjerë të Putinit që mund të penalizohen. Që nga viti 2015, Britania ka sanksionuar 180 individë dhe 48 subjekte ruse, kryesisht për ndërhyrje në Ukrainë pas aneksimit. Goditjen e re, tha Truss, mund ta marrë kushdo që do ti ofrojë mbështetje strategjike regjimit të Putinit.
Qëndrimi i Britanisë po monitorohet nga afër sepse rusët e pasur kanë lidhje të forta financiare dhe sociale me vendin, zotërojnë pallate dhe klube futbolli dhe i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollat elitare të vendit. Londra është një qendër kryesore për mbledhjen e kapitalit për oligarkët dhe kompanitë e tyre.
Masat kundër klasës së lartë ekonomike të Rusisë pritet të jenë pjesë e një pakete më të gjerë sanksionesh dhe kontrollesh të eksporteve të fokusuara në financa, energji dhe teknologji, nëse konflikti do të shpërthejë. Amerika është duke shqyrtuar bankat e mëdha ruse të lidhura me shtetin, duke përfshirë Sberbank dhe bankën e zhvillimit VEB, të cilën Putin e ka përdorur për të financuar disa nga projektet e tij të preferuara.
Administrata e Biden-it gjithashtu dëshiron të ketë një opsion rezervë. Gjithashtu, në Uashington është disktutuar edhe vendosja e sanksioneve në sektorin e energjisë, për të synuar jo vetëm prodhimin por edhe investimet, raporton abcnews.al
Një mënyrë do të ishte kufizimi i rritjes së kapitalit nga gjigantët rusë të naftës dhe gazit në qendra si Nju Jorku dhe Londra. Amerika ka kërcënuar gjithashtu se do të parandalojë hapjen e Nord Stream 2, një tubacion i ri që do të dërgonte gazin rus në Europën Perëndimore.
Teknologjia është padyshim leva më e fuqishme e Amerikës.
Ajo tashmë ka kufizuar eksportet e teknologjive dhe pajisjeve të ndryshme. Mund të shkojë më tej dhe të bllokojë më shumë eksporte të pajisjeve të teknologjisë së lartë në “listën e subjekteve” të Departamentit të Tregtisë. Kjo do të kufizonte aksesin e Rusisë jo vetëm te mikroçipet dhe mjetet e përdorura nga sektorët e saj të mbrojtjes dhe aviacionit, por edhe në pjesët e përdorura në shumë telefona dhe pajisje, duke shqetësuar konsumatorët e Rusisë po aq sa edhe prodhuesit e saj.
Vendi i fundit që është sanksionuar ishte Irani, i cili u vu në shënjestër nga Amerika dhe aleatët e saj në vitin 2018 për programin e tij bërthamor. Ndëshkimi i Rusisë përbën një sfidë shumë më të frikshme, sepse ekonomia e saj varet më shumë ndërkombëtarisht sesa ajo e Republikës Islamike. Që sanksionet të jenë efektive, ato do të shkaktojnë dëme edhe për Perëndimin.
Goditja më e dukshme do të ishte në energji. Europa mbështetet tek Rusia për më shumë se një të tretën e gazit natyror të importuar. Amerika dhe disa nga aleatët e saj europianë kanë diskutuar me Katarin dhe furnizuesit e tjerë të gazit natyror të lëngshëm për mënyrën se si ata mund të ndihmojnë në kompensimin e ndonjë mungese, nëse Rusia shkurton furnizimet.
Disa huadhënës të mëdhenj europianë kanë gjithashtu lidhje të ngushta me Rusinë. Ndër më të ekspozuarat janë Société Générale e Francës, UniCredit e Italisë dhe Raiffeisen e Austrisë. Banka Qendrore Europiane thuhet se ka kërkuar nga 115 bankat e mëdha të eurozonës që ajo mbikëqyr, të japin detaje se si do të vepronin në rast se diçka e tillë do të ndodhë.
Një shqetësim tjetër është hakmarrja “asimetrike” nga Rusia, përkatësisht sulmet kibernetike.
Ekspertët kibernetikë në qeverinë amerikane paralajmëruan personat përgjegjës për mbrojtjen e infrastrukturës kritike të vendit, nga rrjetet energjetike te sistemet e furnizimit me ujë dhe transportit, për tu përgatitur ndaj sulmeve të sponsorizuara nga shteti rus.
Këto rreziqe bëjnë që disa nga aleatët europianë të Amerikës të ndihen të shqetësuar. Gjermania ka lidhje më të ngushta ekonomike me Rusinë se çdo fuqi tjetër perëndimore, dhe sigurisht mund të dëmtohet më shumë se kushdo tjetër në rast se do të vendosen sanksionet. Ajo importon mbi gjysmën e gazit nga Rusia dhe është e dyzuar në sanksionimin e Nord Stream 2 (megjithëse shumë mendojnë se në fund do ta pranojë).
Është gjithashtu dakord për shkëputjen e Rusisë nga SWIFT. Edhe angazhimi i Britanisë ende nuk dihet. Qeveritë e saj të mëparshme kanë treguar se kanë dështuar për të përshtatur retorikën me veprimin kur bëhet fjalë për sanksionet financiare dhe frenimin e parave të pista, raporton abcnews.al
Aktivistët i kanë kërkuar prej vitesh që të jetë më efektive si një qëndër kryesore financiare. Sanksionet e Britanisë ndaj pushtimit të Krimesë në vitet 2014-15 përmbanin kufizime të pakta ndaj firmave ruse dhe manjatëve që rrisin kapitalin përmes bankave dhe tregjeve me bazë në Londër.
Britania gjithashu nuk pranoi të ndiqte qasjen e Amerikës në sanksionimin e disa prej personaliteteve më të fuqishme tregtare dhe financiare të rrethit të ngushtë të Putinit, si Igor Sechin, CEO i Rosneft, një firmë ruse e naftës dhe gazit.
Pyetja tjetër është se sa do ta dëmtonin ekonominë ruse sanksionet e ashpra. Rezervat e bankës qendrore janë rritur deri në më shumë se 600 miliardë dollar. Vetëm një e pesta e obligacioneve sovrane të Rusisë mbahen nga të huajt. Fondi Kombëtar i Pasurisë, i cili mbledh të ardhurat e tepërta të naftës dhe gazit, tani ka rreth 180 miliardë dollarë, më shumë se dyfishi i asaj që kishte pesë vite më parë.
Megjithatë, izolimi i plotë i ekonomisë është i pamundur. Zyrtarët rusë janë mburrur se vendet e tjera i kanë hequr sanksionet në lidhje me Krimenë. Megjithatë, sipas një studimi ga Anders Aslund dhe Maria Snegovaya e Këshillit Atlantik sugjeron se sanksionet kanë reduktuar me 2.5% rritjen mesatare vjetore të PBB-së ruse që nga momenti kur u vendosën.
Sanksionet që Biden po mendon të vendosë mund të shkaktojnë probleme të mëdha, nëse i bashkohen edhe aleatët e tij./ Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al
g.kosovari