Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, foli për rikthimin e Ilir Metës në krye të LSI-së.
Duke folur për Report, Kryemadhi e cilësoi pozitën e Metës në krye të shtetit si një “burg politik” për të.
“Nuk besoj tek sistemi i drejtësisë sepse ai ka dështuar. Me shkarkim pa shkarkim për Ilir Metën nuk do të jetë asnjë problem pasi mezi po duron për të dalë nga “burgu politik”,-përfundoi Kryemadhi.
Njeheresh Kryemadhi ka deklaruar se për të nuk ka asnjë interes nëse Ilir Meta, bashkëshorti i saj, do të shkarkohet nga posti i Presidentit.
“Meta nuk është vetëm lider i LSI, po president i Shqipërisë, ka atributet e presidentit dhe pozicioni i tij politik është në vendimmarrje, mezi po pret që të kthehet te miqtë e tij, një uragan politik siç është Meta dhe ta mbyllësh në një kafaz siç është Presidenca normal që është shumë.
As nuk e kam ndjekur fare, nuk besoj te sistemi ynë i drejtësisë, kushdo qoftë ky, edhe pse anëtarët e Gjykatës Kushtetuese mund të jenë personalitete në fushat e tyre, por opinioni publik, sado që trumbetohet, sponsorizohet, nuk funksionon.
Me shkarkim pa shkarkim, jam e bindur që Meta lutet do Zoti të ecin me hapa të shpejta për të dalë nga burgu që i është krijuar”, tha kryetarja e LSI-së.
Konkretisht Meta u përfshi në një sërë replikash të ashpra dhe përplasje me Partinë Socialiste ku në fokus ishin zgjedhjet e 25 prillit.
Më pas, Kuvendi i Shqipërisë, miratoi me 104 vota pro, 7 kundër, 2 abstenim dhe 1 e pavlefshme raportin përfundimtar i Komisionit Hetimor. Mandati i Metës si President përfundon zyrtartisht më 24 Korrik të vitit 2022./m.j