Kryeministri Edi Rama iu është përgjigjur me ironi akuzave të Partisë Demokratike se ka udhëtuar me një charter luksoz, i cili vetëm karburant do 120 mijë euro.
Në një video-mesazh në “Facebook”, ku shfaq njëherësh edhe deklaratat e bëra sot nga deputetja demokrate, Orjola Pampuri, Rama thekson se ka udhëtuar drejt Mynihut me një biletë ekonomike 345 euro, ku shoqërohej nga bashkëshortja dhe djali i tij i vogël.
Komunikimi në video:
Pampuri: Kush e ka paguar udhëtimin në perlën mbretërore?
Rama: Fakti që kam dalë në fotografi pranë resortit legjendar, nuk do të thotë që kam qëndruar aty. Jo, unë kam qëndruar me familjen në qytet, në Mynih. Kam kaluar një orë në resort, me gazetarët, i ftuar për një bashkëbisedim në natyrë. Mos shikoni vetëm fotografitë.
Pampuri: Rama tha se i kishte shpenzuar paratë për hallin e tij, për të dhënë një intervistë…
Rama: Jo, unë nuk njoftova këtë dje. Kush më dëgjoi e deshi të dëgjove, dëgjoi qartë se kam udhëtuar në Mynih me një biletë ekonomike 345 euro, me familjen, me gruan dhe djalin e vogël.
Pampuri: Me paratë e kujt ka udhëtuar me charterin, që vetëm karburanti i kushton 120 mijë euro..
Rama: E thashë shumë qartë, edhe se si, edhe me kë kam udhëtuar. Madje shpjegova edhe aritmetikën e 120 mijë eurove karburant, në bazë të formulës 1958 karrige për 5004 delegatë të ulur me dorën lart.
Pampuri: A ka udhëtuar ditët e fundit Rama në Suedi, kush i ka paguar paratë e këtij udhëtimi?
Rama: Ç’lidhje ka udhëtim Suedi me intervistën në Mynih. Jo! Unë nuk kam udhëtuar në Suedi. Sidoqoftë, çështja e pagesës së këtij udhëtimi imagjinar s’duhet lënë pa u zbardhur, prandaj duhet pyetur urgjent ai që i uli 5004 delegatë imagjinarë në 1958 vendet reale në Pallatin e Kongreseve.
Pampuri: Rama ka shpenzuar 798.3 milionë euro nga paratë e shqiptarëve vetëm për fluturime…
Rama: 8 vite fluturime, herë 5 humbje, shumëzim për 7 dyer të blinduara, herë 7 brava, pjesëtim për 42 vare, bëjnë një teneqe të ndarë më dysh, që u duhet varur në qafë nga demokratët e arsyeshëm shqiptarë dy të marrëve që kanë marrë peng PD për arsye krejt personale./m.j