Ambasadorja amerikane, Yuri Kim ka realizuar një takim me Ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja. Këtë lajm e ka bërë të ditur vetë ambasadorja përmes një postimi në faqen zyrtare në Twitter.
Yuri Kim ka shkruar se nëpërmjet këtij takimi është diskutuar përsa i përket progresit dhe hapave që duhen marrë për zbatimin e reformës në drejtësi.
“Takim shumë produktiv me Ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja për diskutimin në lidhje me progresin dhe hapat e ardhshëm në zbatimin e reformës në drejtësi. Shtetet e Bashkuara mbështesin këtë vit fokusin në: Eliminimin e mangësive dhe joefikasiteteve veçanërisht për të reduktuar numrin e rasteve të grumbulluara në gjykatat administrative; duke iu përgjigjur shqetësimeve të qytetarëve për pretendimet dhe të drejtat pronësore në kohë, transparente dhe kuptimplotë, gjë që është gjithashtu e rëndësishme për të tërhequr investime të huaja dhe për të përmbushur standardet e BE-së, si dhe përballje me pasojat për zyrtarët që përfshihen në korrupsion. Njerëzit meritojnë rezultate reale nga reforma në drejtësi”, ka shkruar Ambasadorja e amerikane, Yuri Kim.
/a.r