Nga Xhevdet Shehu
Para dy ditësh, më 29 janar 2022, u nda nga jeta në moshën 85-vjeçare Kurt Kola, ish-kryetari i parë i shoqatës së ish-të përndjekurve politikë të Shqipërisë. Kurt Kola ka lindur më 6 maj 1937 në Marcull, një fshat në afërsi të qytetit të Burrelit. Në vitin 1945, ai dhe familja e tij arrestohen dhe internohen nga Sigurimi për shkak se i ati, Bilal Kola ishte përfaqësues i lartë i partisë Lëvizja e Legalitetit dhe kishte luftuar kundër partizanëve antifashistë. Ai e fitoi lirinë në vitin 1990.
Kurt Kolën e kam njohur më shumë se 30 vjet më parë kur si përfaqësues i ish-të përndjekurve politikë, si kryetar i shoqatës së sapokrijuar të të përndjekurve dhe kur ishte ndër më të flaktët në përkrahje të Sali Berishës dhe Partisë Demokratike që po vinte me revan në pushtet. Me kalimin e viteve u njoha më mirë me të dhe vërejta se si u shndërrua nga përkrahës i Berishës në një nga kundërshtarët më të fortë dhe më të besueshëm të tij. Ai më ka thënë për Berishën se “ky është edhe më i keq se komunistët. Ata kishin ligjet e tyre dhe unë kam vuajtur burgje dhe internime për 45 vjet nga regjimi i komunistëve. Unë isha përballë me ta. Por, ish-komunisti dogmatik Sali Berisha të burgos, të vret edhe të rreh pabesisht, ndërkohë që hiqet si demokrat. Mos i besoni këtij njeriu!”.
Këtij mendimi ai i qëndroi deri sa u nda nga jeta. Në vijim, po tregoj një episod nga njohja ime me të, kur punoja si korrespondent i Zërit të Amerikës dhe Kurti udhëhoqi një grevë urie të bashkëvuajtësve të tij në gusht 1994…
***
Kur në qershor 1993 forcat e rendit ndërprenë forcërisht një grevë urie të shoqatës Pronësi me Drejtësi dhe ish-kulakëve, në opinionin shqiptar pati mendime të ndryshme, ku mbizotërues ishte mendimi se shteti kishte vepruar në mënyrë të drejtë. Jemi në një shtet demokratik dhe problemet duhen zgjidhur me dialog, në rrugë demokratike, dëgjohej të thuhej dhe shkruhej në shtyp. Praktikave të grevave të urisë u duhet dhënë fund njëherë e mirë…
Me një grevë urie në shkurt të ’91-shit ishin rrëzuar monumentet e Enver Hoxhës. Po me grevë urie tre muaj më vonë ishte rrëzuar Qeveria e Fatos Nanos. Mirëpo nëse atëherë grevat e urisë quheshin të justifikuara, pasi bëhej fjalë për ndryshimin e sistemit politik, tani ç’kërkonin këta grevistë urie, që më së shumti, ishin aleatë të PD-së ose që kishin përkrahur fuqimisht ardhjen në pushtet të kësaj force politike? Arsyetohej kështu, pa hyrë në thelbin e problemit.
Ish-pronarët dhe ish-kulakët, të organizuar në shoqata, kërkonin rishikimin e ligjeve të shtetit për kthimin dhe kompensimin e pronave të tyre legjitime. Ata, në emër të 20 000 qytetarëve ish-pronarë, nuk pajtoheshin me ligjet e miratuara në parlamentin e parë pluralist dhe me zvarritjen që administrata e re po i bënte zgjidhjes së këtij problemi. Kishte kaluar më shumë se një vit nga ardhja në pushtet e demokratëve dhe ata ende nuk e kishin vërë re ndryshimin… Disa dhjetëra prej tyre u ngujuan në grevë në selinë e Partisë Republikane, por grevë pati edhe në Shkodër e në disa qytete të tjera. Takimet e përfaqësuesve të Presidencës, Qeverisë dhe Parlamentit me grevistët në Shkodër dhe Tiranë, nuk dhanë asnjë rezultat. Në një deklaratë të zëdhënësit të Kuvendit Popullor më 9 qershor, kërkesat e grevistëve, të përmbledhura në pesë pika, konsideroheshin ultimative dhe në kundërshtim me frymën e dialogut. Kryesia e Parlamentit u bënte thirrje grevistëve të ndërprisnin grevën, ndërsa premtonte se do të merrte në konsideratë kërkesën për rishikimin e ligjeve përkatës, por shtonte se janë deputetët e zgjedhur nga populli ata që vendosin dhe miratojnë ligjet… Ligjet nuk mund të ndryshohen me anën e grevave të urisë, theksohej në deklaratë.
Nënteksti: Mos prisni gjë, se nuk bëjmë ligje siç i doni ju. Ne jemi shumica dhe bëjmë si të duam!…
Disa orë më vonë, natën duke gdhirë 10 qershori, ndërhynë forcat e rendit dhe i nxorën me forcë grevistët nga ngujimi. Grevistët ishin tepër të zemëruar me këtë qëndrim të policisë, domethënë të shtetit, të cilin ata dikur e kishin përkrahur për të marrë frenat e Shqipërisë.
Në mënyrë të veçantë zemërimin e shfaqte kryetari i shoqatës Rrapo Hajredin Danushi. Në intervistat që ai dha ato ditë dhe më vonë, u distancua hapur dhe prerë me regjimin e Berishës, duke e quajtur neokomunist, despotik etj.
Parlamenti më vonë e mori në shqyrtim (më saktë: bëri sikur e shqyrtoi) kërkesën e ish-pronarëve, por shumica parlamentare e PD nuk e zgjidhi asnjëherë problemin e ish-pronarëve përfundimisht. Me sa di, ish-pronarët nuk i pushuan asnjëherë protestat e tyre deri sa çështja e tyre është arkivuar në gjyqin e Hagës, të cilin ata e shikojnë si shpresën e fundit…
***
Në pranverë të ’94-ës greva “u spostua” në Kukës. Familjet, shtëpitë dhe pronat e të cilëve ishin përmbytur nga ujërat e liqenit të Fierzës njëzet e ca vjet më parë, i kërkonin Qeverisë kompensim dhe shpërblim… Por edhe ndaj tyre u përdor e njëjta metodë si me ish – pronarët dhe ish – kulakët…
Ishte data 5 maj. Për emisionin e orës 18 kisha përgatitur një emision për Ditën e Dëshmorëve. Kur donte edhe 5-6 minuta të fillonte programi i Zërit të Amerikës, tringëlloi zilja e telefonit. Gjithnjë më ka shqetësuar sinjali i telefonit në prag të programeve, pasi në të shumtën e herës më njoftonin ndonjë gjë urgjente, për të cilën duhej të përgatitesha rrufeshëm dhe të mobilizohesha duke prishur të gjitha planet e tjera, për ta dhënë sa më shpejt në radio lajmin e rëndësishëm.
E ngrita me bezdi receptorin. Zëri më erdhi i largët dhe i mbytur si nga fundi i dheut, sa mezi e dallova. Ishte Elez Biberaj. Ai kishte ardhur disa ditë më parë në Tiranë, dhe atë ditë ishte nisur për në Kukës për të lidhur kontratën me radion lokale për transmetimin e programeve të Zërit të Amerikës. Në të njëjtën kohë, këto kontrata u lidhën edhe me Radio Gjirokastrën dhe me Radio Shkodrën.
Shefi tani po më fliste nga Tropoja dhe në timbrin e zërit kishte shqetësim dhe nervozizëm. Ai tha se në Kukës nuk i kishin lënë të hynin, qytetarët kishin bllokuar rrugën tek ura në hyrje të qytetit. Sot paradite ka patur përleshje me policinë dhe thuhet se ka patur disa të plagosur. Të paktën 20, i kishin thënë ata që kishte pyetur. Nga të dy palët. Por nuk kishte marrë vesh pse ishin përleshur e pse ishin futur në grevë… Dhe pasi më tha të përpiqesha të merrja ndonjë konfirmim nga Ministria e Brendshme, do të ishte mirë ta jepnim ne të parët lajmin, mundësisht brenda këtij emisioni, përfundoi ai.
Kaq tha pak a shumë ai, por mua si gazetar edhe kaq më mjaftonte për të ndërtuar lajmin. Telefonova menjëherë në Ministrinë e Brendshme dhe, fatmirësisht, në anën tjetër të fillit dallova zërin e zëdhënëses së atij dikasteri, të ndjerës Ludmilla Pajo. Nuk mund të konfirmoj asgjë, tha ajo duke bërë “të paditurën” dhe, pasi u mendua pak, shtoi në formë këshille që të mos i kushtoja vëmendje, domethënë të mos merresha me atë punës se është me zarar…
Ajo ishte dashamirëse dhe si gazetare e vjetër nuk donte që një kolegu t’i hapeshin telashe…
Kur ende nuk kishte mbaruar 10 minutshi i lajmeve kryesore në fillim të programit, isha lidhur me zyrën në Uashington dhe i kisha njoftuar se do të jepja një lajm në lidhje të drejtpërdrejtë për zhvillimet më të fundit nga qyteti i Kukësit. Drejtuesi i emisionit e mbajti linjën të hapur për ndonjë minutë dhe pasi kumtoi për dëgjuesit një ndryshim në pjesën e dytë të programit për shkak të një zhvillimi të ri në Shqipëri, vendosi lidhjen e drejtpërdrejt me Tiranën…
***
(Në pranverën e 1997-ës kur ndodhi rebelimi i armatosur i popullit kundër Qeverisë, fillimisht në Jug të vendit, dhe për luftën civile flitej si për një gjë krejt të zakonshme, shumëkush u kujtua se “rebelimi” i parë kundër qeverisjes së demokratëve kishte ndodhur tre vjet të shkuara në Veri të Shqipërisë.
Nuk do të ketë luftë civile dhe aq më pak luftë Veri – Jug, kam menduar dhe jam shprehur gjithnjë me siguri edhe në shtyp. Fara që ishte hedhur për këtë luftë nëpërmjet një politike primitive krahinariste në vitet ’90, fatmirësisht ishte shterp dhe nuk mbiu.
Sidoqoftë, ky ishte një mësim i madh për politikanët dhe shtetarët e sotëm dhe për ata që do të vijnë pas tyre).
***
Gushti i ’94-ës ka qenë veçanërisht i nxehtë. Një vapë zhuritëse dhe topitëse të merrte frymën edhe natën, pa le më ditën… Në Tiranë kjo vapë është edhe më e padurueshme.
Dhe, sikur të mos mjaftojë kjo, në periudha të tilla ngrihen lehtësisht edhe temperaturat politike.
Në ditët e para të atij gushti vëmendjen e opinionit e tërhoqi sërish një grevë urie me përmasa jo të zakonshme, duke qenë ngjarja kryesore në vend për gati dy javë.
Ja si kishte ndodhur.
Shoqata e ish – të Përndjekurve Politikë kishte paralajmëruar për një grevë të tillë, në rast mosplotësimi nga ana e Qeverisë të një sërë kërkesash për kompensimin e vuajtjeve të tyre në burgjet dhe kampet komuniste. Qeveria e kish premtuar këtë, por ky kompensim, sipas shoqatës, po zvarritej ose po bëhej i padrejtë. Kishin filluar bisedimet Shoqatë – Qeveri dhe, pasditen e 4 gushtit, u arrit një marrëveshje me 10 pika, 8 nga të cilat ishin quajtur plotësisht të realizueshme, ndërsa për dy do të vazhdonte diskutimi. Në zyrat e Kryeministrisë të dy palët ishin gëzuar për arritjen e marrëveshjes dhe e kishin festuar me Coca-cola e kafe. Ish – të përndjekurit politikë u shpërndanë qetësisht nëpër familje, të lehtësuar se nuk do t’u riktheheshin më privacioneve si të kohës së diktaturës.
Greva ishte shmangur në momentin e fundit…
Në orën 20, ata u përqendruan para ekraneve të TV për të dëgjuar lajmet ku, padyshim, arritja e asaj marrëveshjeje atë pasdite do të përbënte lajmin më të rëndësishëm të ditës.
Mirëpo, pikërisht në ato momente ata pësuan një shock të vërtetë: Në vend të marrëveshjes së lidhur, u transmetua një deklaratë e Qeverisë, ku ata, ish – të përndjekurit e diktaturës komuniste, cilësoheshin ekstremistë, fashistë, agjentë të ish-Sigurimit të Shtetit dhe të manipuluar nga Johanesburgu (domethënë nga Leka Zogu) etj., etj., një lumë epitetesh të rënda me ngarkesë të theksuar politike.
Sapo dëgjuam atë deklaratë, do të tregonte më vonë kryetari i Shoqatës, Kurt Kola, në mënyrë të vetvetishme dhe me një shpejtësi të rrufeshme, për gjysmë ore, në mjediset e shoqatës u grumbulluan disa qindra vetë, ish – bashkëvuajtës të mi, të cilët këmbëngulën dhe vendosën unanimisht fillimin e menjëhershëm të grevës së urisë. Ishin mjaft të revoltuar nga ato që kishin dëgjuar dhe, më shumë se të revoltuar, ishin të fyer. Edhe unë si ata. Më shumë se 200 e filluam grevën në çast…
E njëjta gjë ndodhi edhe në Shkodër, në Durrës, Kukës, Fier, Lushnjë e në shumë qytete të tjera.
Greva e ish-të përndjekurve e tensionoi sërish dhe papritmas situatën politike, e shpërgjumi atë. Ish-aleatët e dikurshëm të Qeverisë, që tashmë kishin hyrë në grevë urie, nuk mund të quheshin më të tillë. Qëndrimi i të dy palëve ishte i ashpër, i papajtueshëm, gati armiqësor.
Ish-të përndjekurit politikë ishin të fundit aleatë që i kishin mbetur PD-së në rrugën dyvjeçare të qeverisjes dhe që po e braktisnin me vetëdije, të zhgënjyer. Ndërsa aleanca politike në qeverisjen e vendit e PD me PSD dhe PR, prej kohësh ishte deklaruar e dështuar dhe krejt fiktive. Udhëheqjet e dy partive në koalicion sulmoheshin e përbalteshin në shtypin dhe propagandën e PD njëlloj si opozitarët.
Me këtë gjuhë foli PD edhe për Kurt Kolën e bashkëvuajtësit e tij. Sapo filloi greva, jo vetëm që radioja dhe TV shtetëror ndërprenë informacionet rreth këtij zhvillimi të ri, por çdo ditë e më tepër shtuan sharjet dhe epitetet fyese ndaj tyre.
Atëherë shqiptarët, që e kishin kuptuar prej kohësh monopolin e partisë në pushtet mbi radion dhe TV, për të mësuar të vërtetën i drejtuan antenat drejt stacioneve të huaja.
Me zyrën në Uashington ishim në një mendje që në çdo edicion duhej të kishim diçka për grevën. Një lajm, një reportazh, apo intervista…
Ato ditë të asaj greve kam bindjen se Zëri i Amerikës ka patur një numër rekord dëgjuesish, ndoshta si në ditët e vitet më të mira të tij. Ndërsa vura re se grevistët e urisë e shikonin Zërin e Amerikës si një shpresë të fuqishme që nuk do t’i tradhtonte kurrë…
***
Ishte dita e katërt e grevës. Pasi mbaroi edhe programi i orës 20 e 30 i Zërit të Amerikës dola nga shtëpia dhe, me shkrimtarin Dhimitër Xhuvani, të cilin e kisha komshi në pallat, shkuam për të pirë një kafe në një nga mijëra kioskat dhe kafenetë e Tiranës. Ndërsa pinim kafe e tymosnim cigare, vetvetiu biseda shkoi te politika, te ngjarjet e ditës, te greva…
Rreth orës 22, në kthim, së bashku vajtëm te grevistët. Rojet e vendosura te porta e jashtme nuk na penguan për të hyrë në mjediset e grevës në atë orë të vonë.
Grevistët e shtrirë në dysheme, mbi disa batanije të vjetra dhe gati të përgjumur, u gjallëruan papritmas. Ata tashmë më njihnin dhe më thërrisnin nga drejtime të ndryshme. Ata kishin okupuar korridoret, dhomat, madje edhe shkallët, ndërsa dyert e dritaret ishin krejtësisht të hapura për shkak të të nxehtit. Aty gjithashtu pihej shumë duhan.
Atë natë në TV grevistët ishin quajtur huliganë dhe ata ishin shumë të zemëruar me epitetin e ri që u kishin vënë.
-Ne nuk jemi huliganë siç tha televizori i Salës, – bërtiti një burrë gjysmë i shtrirë në një nga dhomat e katit të parë.
U afruam vetvetiu tek ai.
-Ne jemi hallexhinj, kemi vuajtur si kafshë në burgjet komuniste dhe tani duam të jetojmë si njerëz. Nuk kemi as shtëpi, as para, as punë…- Grevisti thithi fort cigaren e pastaj lëshoi një shtëllungë të madhe tymi. – E di ti, more zotni, se unë që më sheh këtu, kam bërë 18 vjet, 1 muaj e 16 ditë burg politik, ndërsa kjo është ime shoqe – dhe ai tregoi një grua në krah të tij, e cila, kur u afruam ne ishte ngritur ndenjur. – Kjo ka bërë 11 vjet burg. – Dolëm gjallë nga burgu, por ç’e do… S’kam as shtëpi, as fëmijë…
Këtu atij iu pre fjala, iu drodh mjekra e qau. Ah, fëmijët! Pas pak e mblodhi veten, fshiu lotët dhe tha me një zë të fikur:
– Kam adoptuar një fëmijë, po s’kam ku ta çoj. Vete bashkë me këtë – ai tregoi sërish të shoqen, – e shikojmë te shtëpia e fëmijës e ikim. Sa të marrim shtëpi…
– Ikim, – i thashë Dhimitrit dhe morëm shkallët për në katin e dytë. Atë natë ishte hapur fjala sikur do të ndërhynte policia për t’i nxjerrë forcërisht grevistët, por ata dukeshin të vendosur edhe t’i kundërviheshin policisë. Që nga hyrja poshtë, në korridor e pranë çdo dere ishin vendosur djem të rinj e të fuqishëm me leva hekuri në duar.
Kurt Kola, i ulur në karrigen e tavolinës së tij, veshur me kanatjere, dukej i drobitur. U takuam përzemërsisht, si zakonisht, ndërsa më pyeti me një farë dyshimi për Dhimitrin.
– Është Dhimitër Xhuvani, shkrimtar,- i thashë.
– Ç’e ke Visarion Xhuvanin? – e pyeti Kurti në çast.
– Xhaxha…
Kurti u ngrit si me komandë në këmbë dhe e përqafoi.
– Po ti qenke miku im! Visarionin e kam njohur në burg dhe ruaj kujtimet më të mira nga ai…
Kur u larguam prej andej pas ndonjë ore e ca, Dhimitri ishte shumë i prekur nga ato që kishte parë e dëgjuar. Megjithatë, bëmë shumë mirë që vajtëm, tha i menduar. Ndoshta i kishte shkrepur në mendje ndonjë ide për të shkruar me shkas nga ato që kishte parë e dëgjuar atë mbrëmje.
***
Gjatë ditëve të asaj greve pushteti në të vërtetë ishte mjaft i shqetësuar dhe i përdori të gjitha format për ta ndërprerë grevën. Një natë rreth mesnatës mbërritën te grevistët përfaqësuesit e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Prof. Ylli Popa dhe kinoregjisori Kujtim Çashku. Në bisedën që patën me Kurtin dhe komisionin e grevës fliste vazhdimisht Çashku, ku lehtësisht dallohej përpjekja për ta mbyllur grevën. Çashku edhe premtonte për ndërmjetësimin në Qeveri.
– Ju kini ardhur në emër të Komitetit të Helsinkit apo të Qeverisë? – e pyeti jo pa ironi Kurti.
Ndërsa një anëtar i komisionit të grevës i ngarkuar për lidhjet me shtypin, ndërhyri:
– Zoti Çashku, nuk iu shkon fare ky mision që keni marrë përsipër si avokat i Qeverisë. Dikur, kur ishim në burg, e di ti që na çonin me forcë për të parë filmat e tu, për t’u edukuar me dashurinë për partinë dhe shokun Enver?! Ndërsa tani… Bëni gabim që merrni përsipër gjëra që nuk ju takojnë, se diskreditoheni. Do të besoja sinqersisht ato që thoni po t’i dëgjoja nga goja e profesor Yllit. Ndërsa nga ti…
Çashku u çarmatos dhe u ngrit. Përpjekja e tij nuk dha asnjë rezultat. Ndërkaq në përkrahje të grevës ishin vënë thuajse të gjitha partitë politike. Edhe klerikët.
Kurse PD e thelloi më tepër deklaratën e Qeverisë, ku përveç etiketimeve të njohura për ish-të përndjekurit, ishte shtuar se shoqata e tyre është vënë në shërbim të opozitës komuniste. Grevistët u acaruan sërish nga ajo deklaratë. Por, ushqenin një shpresë të vakët se ndoshta Presidenti do të ndryshonte diçka nga ato deklarata kundër tyre, do të ndërhynte në një moment të caktuar. Ai nuk kishte folur ende…
***
Greva u ndërpre në ditën e 8-të, natën. Disa orë para se të ndodhte kjo, kishte hyrë vullnetarisht në grevë deputeti Azem Hajdari, i cili përveçse ishte bërë garant për jetën e tyre, kishte dorëzuar në mënyrë demonstrative dhe në shenjë rebelimi ndaj partisë së tij dekoratën Pishtar i Demokracisë.
Hyrja e Azemit në grevë i qetësoi grevistët ndaj ndonjë ndërhyrjeje të mundëshme të policisë, sikundër flitej. Azemi ishte betuar me nderin e deputetit se nuk do ta lejonte kurrsesi këtë.
Megjithatë, ajo natë do të mbetet e paharruar për ish-të përndjekurit pikërisht për të kundërtat e atyre që kishte garantuar Azemi.
… Ishte ora dy e gjysmë pas mesnate, kur më telefonuan nga greva për të më thënë se ata kishin mbërritur, domethënë policët. U vesha me shpejtësi, hodha çantën në krah e u nisa. Selinë e ish-të përndjekurve e kisha më pak se 10 minuta larg në këmbë. Sapo dola jashtë u kthjellova plotësisht nga freskia e mëngjesit që po vinte dhe nga një dritë e mrekullueshme hëne. Është gjynah të kryhet ndonjë krim këtë natë, mendoja ndërsa ecja i vetmuar dhe i magjepsur në rrugët e boshatisura, të lyera me vërnikun e hënës.
Por, kur u afrova në afërsi të selisë së grevës, ç’të shihja! Makina policie, furgona dhe Ifa me forca të shumta në gatishmëri, ndërsa ishin mbyllur të gjitha shtigjet dhe policët nuk lejonin kërkënd të afrohej. Iu prezantova atij që jepte urdhëra dhe i kërkova të më lejonte të hyja. Por ishte e pamundur. I tillë është urdhëri, më tha me njëfarë mirësjelljeje.
U largova për të tentuar të hyj nga ana lindore, nga hipotenuza e trekëndëshit që formojnë rrugët që rrethojnë atë godinë në rrugën e Elbasanit. Aty takova tre-katër kolegë të mi që sapo kishin mbërritur edhe ata. Ishin Benet Koleka i Rojterit, Aleksandër Furxhi i radio Londrës dhe dy kolegë të tjerë të gazetave të Tiranës. Është e pamundur të hyhet atje brenda, më thanë. Unë po e provoj dhe një herë, thashë dhe u drejtova për andej. Pa kaluar dhjetë metra, m’u turr një polic duke klithur “Kthehu, ik, largohu!”. Arsyetimit tim se isha gazetar i Zërit të Amerikës, ai iu përgjigj me një ngërdheshje dhe duke më kërcënuar me tundjen e shkopit të gomës para syve.
U ktheva.
– Më mirë presim këtu. Këtej do të kalojë me siguri ndonjë prej grevistëve, – thanë kolegët duke mbajtur këmbët te një urë e vogël buzë Lanës.
Nga selia vinte oshëtima e një zallamahije me klithma dhe ulërima. Diçka e papëlqyer po ndodhte. Po, çfarë?
Nga porta kryesore e selisë pamë të dilnin një tufë grevistësh. Ata ishin të tromaksur. Shumica e tyre morën rrugën kryesore drejt qendrës së qytetit, kurse tre u drejtuan për nga rrugica jonë. U turrëm si me komandë drejt tyre.
Dhe ata na treguan se ç’po ndodhte atje brenda.
“Që dje pasdite pamë një grumbullim jo të zakonshëm policësh para godinës, ndërsa operacioni për ndërprerjen e grevës filloi rreth orës dy e gjysmë pas mesnate. Na goditën dhe na hoqën zvarrë. Vetëm Azemi nuk po dorëzohet dhe vetëm atë nuk po e prekin, se është deputet…”
-Do të largoheni ju me të mirë apo t’ua bëjmë copa-copa ato aparate!
Një polic na kishte bërtitur kështu, ndërsa pas tij u turrën edhe dy – tre persona të tjerë që nuk ishin të veshur policë. Përfundimisht, na larguan dhe nuk na lejuan të qëndronim aty. Ndalesa jonë e dytë ishte rreth 300 metra më tej dhe ne e kishin gati të pamundur të merrnim vesh më tej se ç’po ndodhte. Po edhe aq na mjaftonte.
Në orën katër isha sërish në shtëpi, por tashmë s’mund të flija. Më shumë nga ato që kisha parë e dëgjuar, sesa nga koha e kufizuar që kisha për përgatitjen e reportazhit. Në orën 6 e kisha lënë me zyrën të më telefononin.
Dhe zilja ra në orën 6. E ngrita menjëherë receptorin dhe…
Nuk ishte zyra.
– E përgatite materialin për grevën? – njoha zërin e Ekspertit Presidencial të më pyeste me butësi.
– Atë jam duke përgatitur, – ia ktheva nuk e di sepse me njëfarë sinqeriteti të tepruar që shpesh më bënte të pendohesha. Gazetari nuk ka pse të tregohet i hapur dhe i sinqertë me cilindo se ç’ka ndërmend të bëjë. Kjo mendoj se hyn në ato që quhen rregulla të pashkruara të profesionit.
– Mendoj se e ke theksuar në material se grevistët e ndërprenë vullnetarisht grevën… Madje, disa policë që u ndodhën aty rastësisht, ruajtën thjesht rregullin, ata nuk kishin as shkopinj gome… Apo jo? – tha ai me nëntekst të lexueshëm.
Buzëqesha hidhur. Këtë lloj “përkujdesjeje” brutale unë e kisha provuar edhe herë të tjera dhe e dija përse bëhej, ndaj nuk e prisha gjakun dhe vazhdova qetësisht punën…
Atë ditë që u mbyll greva u mor vesh se e njëjta sjellje e ashpër e policisë ishte vënë re edhe në qytetet e tjera gjatë nxjerrjes forcërisht të grevistëve nga ngujimi. Ndërsa Kurt Kolën e kishin mbyllur në arrest shtëpiak. Është e tepërt të thuhet se sa të indinjuar ndiheshin ish-të përndjekurit, të cilët, edhe në të tilla kushte, shpreheshin për vazhdimin e grevës në kushte të tjera. Me këtë rast bëra një intervistë të veçantë me Kurt Kolën, ku theksova faktin se ndaj tij është vendosur masa e arrestit shtëpiak.
Përsëri ra zilja e telefonit sapo mbaroi intervista e Kurtit te Zëri i Amerikës. Ishte sërish Eksperti.
– More, (ai e përdorte shpesh këtë fjalë) këtë Kurt Kolën e paskan mbyllur në arrest shtëpie, tani e mora vesh. Po si munde t’ia marrësh intervistën? Si të lanë rojet? – pyeti ai me një kureshtje të lexueshme.
– Jo, e mora me telefon…
– Si ka mundësi? Sepse, me sa di unë, kur vendoset masa e arrestit shtëpiak për një njeri, atij i hiqet telefoni, – bëri sërish të çuditurin ai…
… Ndonjë orë pasi u dha intervista ime te Zëri i Amerikës, m’u pre telefoni, do të më tregonte më vonë Kurti. Më hoqën të vetmen mundësi të komunikimit me anëtarët e Shoqatës. Kur më hoqën telefonin, ideja e burgut m’u bë krejt konkrete, më mbytën kujtimet e hidhura të së shkuarës dhe ndjeva dhimbje. Dhimbja më buronte së brendshmi për shumë arsye, por mbi të gjitha se ndihesha i zhgënjyer, i tradhtuar, i mashtruar nga njerëzit, të cilët kisha besuar se do të bënin Shqipërinë, siç e kishim ëndërruar ne të burgosurit e ndërgjegjes të diktaturës komuniste. Dhe njeriu i tradhtuar e mashtruar bie shpejt në dëshpërim. Ndërsa unë i uroja vetes: Të mos bija në dëshpërim…
(Kurt Kola u mbajt tre muaj në arrest shtëpie dhe u çlirua nga akuzat që i bëheshin disa ditë pas referendumit për kushtetutën më 6 nëntor).
Të nesërmen e ndërprerjes së kësaj greve urie, në Tiranë filloi procesi gjyqësor ndaj pesë shtetasve shqiptarë me kombësi greke, ndërsa çështja e ish-të përndjekurve politikë kaloi në plan të dytë. Kjo çështje u spostua dhe u injorua, por nuk u harrua… Në analizat që do të bëheshin pas humbjes në referendum nga ana e pushtetit, dhuna e përdorur ndaj ish – të përndjekurve politikë do të radhitej ndër faktorët e rëndësishëm që kishte ndikuar negativisht në rezultatin.
Ndonjë muaj më vonë në Shqipëri u shfaq epidemia e Kolerës që mori dhjetra jetë njerëzish. Një politikan i opozitës e quajti Qeverinë e Berishës – Qeveria e Kolerës.
Një vit e ca më vonë do të bënte kërdinë Poliomeliti.
Ndërsa epidemia e piramidave rentiere të fajdeve ishte ende larg…
Mbete tere jeten njeri i drejtë,i sinqertë,i mire ,i ndershem,vital dhe i mençur.Lili.