Meta i drejtohet me letër Kushtetueses: Më vendosni në dispozicion provat si u caktua relatori për “çështjen e shkarkimit”. Prisja vendimmarrje të shpejtë…

TIRANË

Presidenti Ilir Meta i është drejtuar me një shkresë kryetares së Gjykatës Kushtetuese përmes së cilës i kërkon t’i vihet në dispozicion procedura e ndjekur për të përcaktuar cështjen e shkarkimit.

“Kërkoj nga ana juaj: – kopje të aktit përmes të cilit rregulloheshin procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, pas hyrjes në fuqi të ligjit nr. 99/2016 , e veçanërisht procedurat e caktimit të relatorit të çështjes me short, apo procedurat e tjera me të cilat ka funksionuar Gjykata Kushtetuese, deri në miratimin e Rregullores së re, hyrë në fuqi më 27 janar 2022.

Mbetem me besimin se ky informacion dhe kopja e akteve do të përcillet dhe do të vihet në dispozicion brenda datës 31 janar 2022.”- thuhet në shkresë.

Letra e plote:

U njoha me qëndrimin e Gjykatës Kushtetuese, përcjellë përmes letrës suaj me nr. 6 (K) 2021 Regj. Them., të datës 28.01.2022, dhe ndihem i keqardhur për këtë komunikim jo përmbajtësor dhe pa përgjigje që Gjykata Kushtetuese mban me Institucionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Si President i Republikës, pasi u njoha me shkresën e Gjykatës Kushtetuese nr. 6 (K), datë 17.6.2021, “Dërgim vendimi dhe provat përkatëse”, në kushtet kur Gjykata Kushtetuese ishte vënë në lëvizje nga Kuvendi për një çështje që as nuk duhej të ekzistonte, dhe në përgjigje të njoftimit të saj, përmes shkresës nr. 2143 prot., datë 1.7.2021, i kam përcjellë zyrtarisht Gjykatës Kushtetuese “Qëndrimet dhe Pretendimet” e mia, lidhur me vendimin nr. 55/2021, datë 9.6.2021, të Kuvendit të Shqipërisë “Për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë ‘Për shkelje të rënda të Kushtetutës”’ dhe procedurën e ndjekur nga Kuvendi i Shqipërisë (Legjislatura e IX-të).

Ky qëndrim i Presidentit të Republikës, shtojcat bashkëlidhur, dhe provat respektive, i janë dërguar Gjykatës Kushtetuese, përmes shkresës përcjellëse nr. 2143/1 prot., datë 1.7.2021, “Përcillen qëndrimet dhe pretendimet e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, mbi vendimin nr. 55/2021, datë 9.6.2021 dhe procedurën e ndjekur nga Kuvendi i Shqipërisë”.

Në këto akte, i kam kërkuar Gjykatës Kushtetuese që ta marrë në shqyrtim sa më shpejt dhe të vendosë pa vonesë lidhur me këtë çështje. Kjo, duke u nisur edhe nga historiku i veprimtarisë së Kuvendit në dy vitet e fundit të Legjislaturës së IX-të.

Madje kam theksuar se, një vendimmarrje e shpejtë mbi këtë çështje, do të shkonte në favor të zhvillimit të një procesi të rregullt ligjor midis palëve pjesëmarrëse në proces që investuan Gjykatën Kushtetuese, dhe në ruajtje të legjitimitetit të funksionimit dhe të vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese, duke dalë garant i kushtetutshmërisë dhe rendit ligjor e demokratik, kaq shumë të sulmuar dhe të paralizuar në tre vitet e fundit.

Kjo kërkesë, që prej datës 1 korrik 2021 e Presidentit të Republikës, për shqyrtimin e çështjes brenda një afati sa më të shpejtë, lidhej ndër të tjera me faktin që Legjislaturës së IX-të të Kuvendit të Shqipërisë i përfundonte mandati 4-vjeçar në datën 9 shtator 2021, çka kërkonte që dhe shqyrtimi gjyqësor i çështjes për të cilën kjo legjislaturë investoi Kuvendin, duhej të përfundonte brenda kësaj date.

Ndërkohë që, pas këtyre komunikimeve të mia, vetëm në datën 15.10.2021, me shkresën tuaj me lëndë “Njoftim për kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike”, keni njoftuar faktin se, Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në datën 15.10.2021, ka vendosur kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike.

Siç dhe jeni në dijeni, përmes Drejtorit të Kabinetit, ju kam shprehur qëndrimin dhe shqetësimin mbi disa çështje dhe kam kërkuar nga Gjykata Kushtetuese informacion e të dhëna mbi to, përmes kërkesave me nr. 3290/11 prot., datë 05.11.2021, dhe nr. 3290/3 prot., datë 16.11.2021, dhe kam pritur përgjigje të plotë zyrtare. Por për asnjë nga këto shkresa, nuk kam marrë përgjigje.

Në këto kushte, nisur dhe nga disa konstatime dhe problematika të evidentuara në veprimtarinë e Gjykatës Kushtetuese edhe në çështje të tjera ku Presidenti i Republikës ka qenë palë pjesëmarrëse në gjykim, dhe në vijim të komunikimit me Gjykatën Kushtetuese për njoftimet e caktimit të datës së zhvillimit të seancës publike, për herë të tretë, përmes Drejtorit të Kabinetit, në datën 27.01.2022, ju kam përcjellë kërkesën me nr. 152/1 prot., duke ripërsëritur kërkesën për informacion, të dhëna dhe akte, përpara zhvillimit të seancës gjyqësore publike.

Por sërish, edhe pas kësaj kërkese të përsëritur, përgjigja e Gjykatës Kushtetuese ishte formale, jo përmbajtësore, për asnjë nga kërkesat e parashtruara.

Nisur nga qëndrimi që keni mbajtur në shkresë, jam i detyruar të përcjell këtë kërkesë me qëllim që Gjykata Kushtetuese jo vetëm të marrë masa për të garantuar të drejtat e palëve në proces, por dhe të sigurojë transparencë mbi veprimtarinë e saj, si tregues i legjitimitetit të kësaj Gjykate.

Së pari, lidhur me kohën për parashtrimin e çështjes nga palët në seancë, në shkresën tuaj ju i referoheni një afati kohor prej 60 minutash. Dhe për këtë, në përgjigjen tuaj nr. 6 (K) 2021 Regj. Them., datë 28.01.2022, ju i referoheni Rregullores së re “Për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese”, të miratuar në datën 22.12.2021, me vendimin nr. 9, të Mbledhjes së Gjyqtarëve (neni 33, pika 6).

Lidhur me këtë, më duhet t`ju sjell në vëmendje se, ashtu siç besoj se dhe ju shumë mirë duhet ta dini, kjo Rregullore nuk ka qenë në fuqi në momentin që Gjykata Kushtetuese, përmes shkresës me Nr. 6 (K) 2021 Regj. Them., datë 11.01.2022 (ku i bëni me dije Presidentit të Republikës se koha në dispozicion për parashtrimin e pretendimeve në seancën plenare publike, që ishte parashikuar për t`u mbajtur në datën 18.01.2022, ishte 60 minuta), apo shkresës Nr. 6 (K) 2021 Regj. Them., datë 17.01.2022, (ku njoftoni shtyrjen e seancës gjyqësore për datën 1.02.2022), i është drejtuar Presidenti të Republikës me komunikimet përkatëse.

Vetë Rregullorja, që është miratuar nga ana e Mbledhjes së Gjyqtarëve në datën 22.12.2021, dhe që sipas dispozitës së hyrjes në fuqi të vendimit miratues nr. 9, datë 22.12.2021, hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Nga konsultimi me faqen e Qendrës së Botimeve Zyrtare, rezulton se Rregullorja e miratuar që në datën 22 dhjetor 2021, është botuar në Fletoren Zyrtare nr. 13, datë 27 janar 2022 , ditë kjo që përkon çuditërisht me kërkesën tonë për informacion nr. 152/1 prot., datë 27.01.2022.

Megjithatë, më vjen mirë që, u desh Presidenti i Republikës së Shqipërisë t`i kërkonte informacion Gjykatës Kushtetuese dhe t`i përcillte Kolegjit të Posaçëm të Apelimit në datën 24 janar 2022, të dhëna dhe prova që kërkojnë domosdoshmërish nisjen e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, që Rregullorja e procedurave gjyqësore e miratuar nga kjo që prej datës 22.12.2021, të gjente dritën e botimit 35 ditë më vonë.

Përpos këtyre fakteve të pakundërshtueshme, për sa kemi parashtruar edhe në letrën nr. 152/1, datë 27.01.2022, kërkoj që në seancën gjyqësore, në funksion të respektimit të parimit të kontradiktoritetit dhe të drejtës për t`u dëgjuar, zhvillimi i seancës duhet t`i garantojë përfaqësuesit dhe mbrojtësit të zgjedhur prej Presidentit të Republikës të parashtrojë të gjithë qëndrimin dhe pretendimet e tij, pa u kufizuar në kohë. Parimet, të drejtat dhe liritë themelore për një proces të rregullt ligjor, dhe për t`u dëgjuar përpara një gjykate të paanshme dhe të caktuar me ligj, nuk mund të cenohen dhe as të kufizohen.

Së dyti, duke qenë se Presidenti i Republikës iu përgjigj Gjykatës Kushtetuese që prej datës 1 Korrik 2021 dhe kërkoi shqyrtim të shpejtë dhe pa asnjë vonesë të çështjes, dhe nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar nga Gjykata Kushtetuese se çfarë ka ndodhur me shqyrtimin e kësaj çështjeje të investuar nga Legjislatura e IX-të e Kuvendit të Shqipërisë, apo se çfarë ka vendosur në lidhje me të mbledhja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, përpara datës 15.10.2021, ripërsëris kërkesën për informacion dhe kopje të dokumentacionit për t`u njohur me këto fakte:

– A ka zhvilluar Mbledhja e Gjyqtarëve ndonjë mbledhje, dhe/apo ka marrë ndonjë vendim për pezullimin e shqyrtimit të kësaj çështje përgjatë periudhës 14.06.2021 (moment ky i regjistrimit të çështjes) deri në 14.09.2021 (moment ky që sipas nenit 47, pika 1, dhe 62 pika 1, paragrafi i 1, të ligjit nr. 8577/2000, përbënte dhe afatin përfundimtar maksimal ligjor kur Mbledhja e Gjyqtarëve duhej të shprehej me vendim për kalimin ose jo të çështjes për shqyrtim në seancë gjyqësore publike, brenda 3-muajve nga paraqitja e kërkesës)?

– Nëse po, cila është baza ligjore e pezullimit dhe arsyet përse ky vendim deri më sot nuk i është njoftuar Presidentit të Republikës nga Gjykata Kushtetuese.

– Cili është relatori i çështjes dhe mënyrën e procedimit të Kryetares apo të Gjykatës Kushtetuese për caktimin e tij si relator sipas ligjit, shoqëruar me kopje të dokumentacionit provues mbi praktikën e brendshme administrative të ndjekur për këtë rast për caktimin e relatorit.

Nëse ju hezitoni të ktheni përgjigje zyrtare, duke përcjellë dhe kopjen e dokumentacionit mbështetës për informacionin sa më sipër, në orën 10:00, të datës 31 janar 2022, përfaqësuesit e Presidentit të Republikës, z. Bledar Dervishaj dhe/ose znj. Katrin Treska , do të paraqiten personalisht pranë Gjykatës Kushtetuese për të marrë kopje të njehsuar të këtyre akteve që konfirmojnë veprimtarinë e Gjykatës për këto kërkesa dhe çështje të ngritura .

Lutemi caktimin e një personi përgjegjës nga ana juaj, për t`ua vënë në dispozicion informacionin dhe dokumentacionin e kërkuar pa asnjë pengesë dhe/apo vonesë, duke mbajtur për këtë qëllim edhe procesverbalin përkatës që dokumenton vënien ose jo në dispozicion të dokumentacionit pjesë e dosjes gjyqësore, për të cilin paraqitet në mënyrë të përsëritur kjo kërkesë.

Përpos sa më sipër, në zbatim të nenit 92/h, të Kushtetutës, kërkoj nga ana juaj:
– kopje të aktit përmes të cilit rregulloheshin procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, pas hyrjes në fuqi të ligjit nr. 99/2016 , e veçanërisht procedurat e caktimit të relatorit të çështjes me short, apo procedurat e tjera me të cilat ka funksionuar Gjykata Kushtetuese, deri në miratimin e Rregullores së re, hyrë në fuqi më 27 janar 2022.

Mbetem me besimin se ky informacion dhe kopja e akteve do të përcillet dhe do të vihet në dispozicion brenda datës 31 janar 2022.

PRESIDENTI

Ilir META

Next Post

Leave a Reply

Your email address will not be published.

LAJMET E FUNDIT

Welcome Back!

Login to your account below

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com