Pas konferencës së një dite më parë, ku ngriti shqetësimin e rritjes së borxhit publik dhe akuzoi qeverinë se po fsheh vlerën reale të këtij borxhi, presidenti Ilir Meta, ndryshe nga fundjavat e tjera që i nis buzë liqenit, ka zgjedhur të hedhë të tjera akuza për mungesën e prosperitetit në vend.
Duke qëndruar larg rolit të tij të unitetit kombëtar, Meta duket se ka vendosur të bëjë oponencën kundër qeverisë edhe më të fortë se vetë opozita. Sipas Metës, qeveria shqiptare është e vetmja në botë që futet në borxhe të mëdha për të rritur prosperitetin por ndodh krejt e kundërta.
Duke publikuar Indeksit të Prosperitetit, të përgatitur nga Legatum Institute, Meta thotë se Shqipëria ka rënë me 3 shkallë në treguesin e prosperitetit në Europë, ku fuqia punëtore dhe qëndrueshmëri fiskale janë më të ulëtat në kontinent.
“Futesh në borxh për t’u përmirësuar dhe jo për t’u përkeqësuar! Në të kundërt ndodh me vendin tonë. Sipas Indeksit të Prosperitetit, të përgatitur nga Legatum Institute, institucion i pavarur prestigjoz i përpunimit të statistikave që vijnë nga burime të besueshme, rezulton se vetëm brenda dy viteve të fundit Shqipëria ka përkeqësuar me tre shkallë treguesin e prosperitetit, duke rënë në vendin e 69-të për vitin 2021, nga vendi i 66-të, që ndodhej në 2019. Në terma konkretë, qëndrueshmëria fiskale, dinamizmi ekonomik, fuqia punëtore janë ndër më të ulëtat në Europë.
Në pikiatë rezultojnë cilësia e qeverisjes, e ekonomisë, zbatimi i ligjeve, respektimi i të drejtave të pronësisë, zbatimi i kontratave dhe detyrimeve. Cilësia e jetës së qytetarëve shqiptarë ka rënë në tërësi dhe pothuajse jemi ndër të fundit në botë për besimin ndaj institucioneve. Gjendja është e rëndë dhe përkeqësimi nuk ndalet! Reflektimi i menjëhershëm, efektiv dhe i përgjegjshëm është domosdoshmëri”, shkruan Meta.
g.kosovari