Rritja e turizmit po nxit profesione të reja në sektor dhe në industritë mbështetëse të tij. Operatorët e një sërë segmenteve shprehen se tendenca vjen si rezultat i standardit dhe cilësisë, të cilat po ndryshojnë gradualisht në përshtatje të kërkesave nga tregje të reja që po vijnë në Shqipëri.
Vite më parë, profesione si menaxher SPA-je, këshillues pushimesh, somelierë, kapitenë apo bloger/influencer në turizëm nuk ekzistonin, ose ishin të pakët, kurse sot, numrat po vijnë në rritje. Paralelisht me profesionet e reja po konsolidohen edhe ato kyçe të turizmit, në drejtim të menaxhimit dhe marketingut, duke ndarë punën në departamente të veçantë.
Bizneset shprehen të shqetësuar se rritja e turizmit që po gjeneron vende të shumta pune, po haset me vështirësinë e gjetjes së burimeve njerëzore dhe sidomos atyre të kualifikuar, gjë që vë edhe një herë theksin tek orientimi i politikave të arsimit profesional
Numri i turistëve që vizitojnë Shqipërinë gjithmonë në rritje dhe hyrja e tregjeve të reja, po detyron sipërmarrjet e sektorit, të shohin seriozisht cilësinë e shërbimit dhe standardin që ofrojnë. Bëhet fjalë për ato struktura të mëdha me 4/5 yje apo zinxhirë hotelesh, që bazë të operimit të tyre kanë turizmin e organizuar, të vendosura kryesisht në Golem, Vlorë dhe Sarandë.
Korrigjimi ka nisur së pari nga brenda strukturave akomoduese, të cilat janë bërthama e ku përgjegjësitë janë ndarë qartësisht. Tashmë menaxheri nuk angazhohet në gjithçka që më herët, për shkak të volumit të punës, shërbimi në disa hallka të çalonte. Nga ana tjetër vihet re ndryshimi i mentalitetit të sipërmarrësve mbi personin e ngarkuar me menaxhimin, ku eksperienca dhe shkollimi mban peshën kryesore, duke eliminuar aplikimin e formulës së zakonshme të përfshirjes së të afërmve në biznes.
“Ka ndryshuar mentaliteti që menaxher në një hotel duhet të jetë një i afërm pra nipi, mbesa, djali apo vajza. Kjo është testuar mjaftueshëm dhe nuk ka rezultuar e suksesshme, për këtë arsye, sipërmarrësit gjithmonë e më shumë po tentojnë të angazhojnë staf të dedikuar, të trajnuar dhe me përvojë në këtë sektor.
Menaxher tashmë mund të jetë edhe dikush që nuk ka asnjë lidhje me sipërmarrësin, por ka përvojën dhe arsimin e nevojshëm. Sidomos ata që kanë eksperiencë jashtë shtetit janë më të avantazhuar” – pohon Blerim Norja, Drejtor i Përgjithshëm i hoteleve “Royal G”.
Ai nënvizon se nga viti 2004, kur është angazhuar në menaxhim hotelesh, ndryshimet kanë qenë graduale dhe të ngadalta. Ndërkohë që katër vitet e fundit po bëjnë diferencën në mënyrën sesi po organizohet industria e turizmit.
Riorganizohet kuzhina, somelierët po kërkohen gjithmonë e më shumë
Kuzhina e restoranteve në hotelet e mëdha është tërësisht e ndryshme nga ajo e një hoteli të vogël për nga mënyra e organizimit dhe ndarjes së përgjegjësive.
“Nëse flasim për kuzhinën në hotelet e mëdha, ato kanë sektorë të ndarë. Është shefi kryesor për gjithë sektorët dhe më pas ndahen për ‘a la carte’, “i restorantit”, për pastiçerinë, bartender (personi përgjegjës për barin). Tre vitet e fundit, “bartender” ka marrë një pjesë të veçantë në sektor dhe ndahet më vete, pasi është pjesë e rëndësishme e show-t” – pohon Norja.
Por, a është e thjeshtë të gjesh sot staf të kualifikuar për kuzhinën. Rrahman Kasa, nga Unioni Turistik Shqiptar, tha se ndryshe nga profesionistët e tjerë që është e vështirë t’i gjesh, për kuzhinën është disi më e thjeshtë dhe rol në këtë aspekt kanë luajtur institutet profesionale të dedikuar.
“Për kuzhinën, situata është më ndryshe. Nuk është aq e vështirë të gjesh një shef kuzhine apo një pastiçier. Sigurisht kërkojnë paga të larta, por falë shkollave profesionale mund t’i gjesh më lehtë” – tha Kasa.
Një tjetër profesion që ndoshta për kantinat e verës është i zakonshëm, por në restorante dhe hotele është i rrallë, është ai i somelierit. Sipas operatorëve të tregut ka një tendencë që të angazhojnë edhe somelierë, apo të trajnojnë staf të dedikuar, që t’u shpjegojë klientëve verën që po konsumojnë, ose t’i ndihmojnë ata me sugjerime.
“Lind” profesioni i menaxherit të SPA-ve, hotelet po investojnë në këtë drejtim
Në strukturat akomoduese po rritet tendenca për të përfshirë në shërbimet e tyre edhe SPA-të. Turistët e huaj që po i drejtohen vit pas viti Shqipërisë, e shohin përfshirjen e një ambienti të tillë si avantazh dhe duket se kjo ka rritur edhe interesin për të bërë investime në kësaj natyre në hotelet ekzistuese.
Operatorët në zonën e Durrësit konfirmojnë se hotelet që nuk e kanë po shtojnë këtë hapësirë, ndërsa ata që e kanë, po e modernizojnë ambientin SPA. Por çfarë është në fakt një ambient i tillë?
Ambientet e SPA dhe Wellness (mirëqenie) janë ato ku njerëzit shkojnë për të ushtruar dhe kanë trajtime të veçanta për të përmirësuar shëndetin e tyre. Spa dhe Wellness përfshijnë sauna dhe dhoma të ndryshme trajtimi.
Me rritjen e numrit të SPA-ve nëpër hotele duket se ka lindur edhe një profesion i ri, siç është menaxheri i SPA-së. Edhe pse është pjesë e hotelit, përgjegjësia është e ndarë për të siguruar shërbim sa më të mirë.
Industria e jahteve dhe anijeve, në krizë për staf të trajnuar
Rrahman Kasa, nga Unioni Turistik Shqiptar, pohoi se një sërë pozicionesh pune në sektorin e turizmit janë në krizë për staf të kualifikuar. Ai sjell si shembull përfshirjen e tureve detare në zonën e Durrësit dy vite më parë, ku për të siguruar ekipin e anijes u deshën përpjekje të shumta.
“I gjithë sektori i turizmit është në vështirësi për punonjës. Ka shumë dobësi në këtë aspekt. Edhe emigracioni ka ndikuar, ku largimet gjatë pandemisë ishin më të larta pasi një pjesë e punonjësve mbetën pa punë. Specialistët, apo ata që ishin të mirëtrajnuar, gjetën hapësira dhe u larguan. Për shembull për turet me anije është problem shumë serioz dhe nuk mund të gjesh staf të kualifikuar, pasi nuk ka shkolla të mirëfillta. Kemi negociuar mik pas miku me ndërhyrje dhe duke ofruar paga shumë të mira, por kjo formë rekrutimi sërish nuk është e qëndrueshme” – pohon Kasa.
Sipas tij vërehen mangësi gjithashtu për specialistë në agjencitë turistike. Tek hotelet ka nisur tendenca e gjetjes së menaxherëve me shumë përvojë dhe kualifikime por nuk ka shumë të tillë në dispozicion.
Problemin e mungesës së stafit e has edhe Smerald Bozaxhiu, administrator i “Albania Yacht Charter”. Ai thotë se është shumë e vështirë, sidomos të krijosh ekuipazhin në një jaht pasi pozicionet e hostess shihen me paragjykim, edhe pse janë të mirëpaguara.
“Është shumë e vështirë të sigurosh staf, i cili i përmbush të gjithë kriteret për të shërbyer si crew (ekuipazh), sidomos kur bëhet fjalë për charter (praktikë e dhënies me qira të jahtit për të udhëtuar në disa destinacione turistike bregdetare). Kjo mungesë vjen si pasojë e moskonsiderimit të një profesioni të tillë si një mundësi shumë e mirë punësimi dhe me të ardhura të kënaqshme. Po kështu, edhe nga mungesa e informacionit rreth këtij profesioni.
Një problem tjetër që vërehet në këtë treg punësimi është se ekuipazhet e jahteve shihen dhe konceptohen kryesisht si punë mashkullore dhe është shumë e vështirë për të mos thënë e pamundur, për të gjetur ekuipazh të seksit femër.
Standardi kërkon që hostess, zakonisht të jenë vajza, madje edhe në imbarkime të vogla, të cilat kanë 2 crew (ekuipazh profesional), deckhand (pozicion fillestar në një jaht) është një vajzë e cila luan edhe rolin e hostess” – thotë ai.
Në vijim të hapësirave që po krijon tregu për profesionet e reja, Bozaxhi nënvizon se në Shqipëri mund të funksionojë shumë mirë edhe këshilluesi i pushimeve, që është një person i cili rekomandon itinerare dhe alternativa për të kaluar kohën e lirë. Shqipëria nuk njihet ende shumë mirë dhe për të huajt, një profil i tillë profesionisti do të ishte i përshtatshëm.
“Në gjykimin tim, një profesion i ri, i cili duhet të zhvillohet është Vaccation Adviser. Ne në kompani kemi persona specifikë, të cilët e bëjnë këtë punë, të cilët ndërtojnë itinerare, evente, aktivitete, lojëra ujore, sugjerojnë destinacione të ndryshme duke bërë edhe një përmbledhje se si mund ta kalojnë kohën e lirë klientët.
Kjo kërkon një person, i cili ka aftësi shumë të mira komunikimi, si dhe një intuitë se çfarë kërkon një klient (zakonisht një turist i huaj nuk e di as vetë se çfarë kërkon ose se çfarë mund të kërkojë) realisht nga pushimet e tij” – pohon ai.
Influencer angazhohen në turizëm
Ardhja e Dua Lipa verën e kaluar në Shqipëri krijoi jo pak bujë në mediat ndërkombëtare, kur këngëtarja postonte nga brigjet e kaltra. Sigurisht profili i një këngëtareje të mirënjohur në skenën ndërkombëtare, me mbi 77 milionë ndjekës, e bën atë një shembull tipik të influencer që mund të ndikojë planet e një pakice potenciale që ta shohin vendin tonë si një destinacion për eksplorim.
Në një dimension më të vogël sesa ai i Dua Lipa, tendenca e blogerave dhe influencer në turizëm ka ardhur në rritje të vazhdueshme, sidomos në pjesën lokale. Vetë strukturat akomoduese, agjencitë turistike apo kompanitë që operojnë në një nga industritë e lidhura me turizmin kanë përfshirë këtë grup “profesionistësh” në bashkëpunimet e tyre, por gjykohet se ka vend për përmirësim.
“Unë jam ‘pro’ profesioneve të tilla si bloger dhe si influencer sepse në kohët kur po jetojmë, mediat sociale janë bërë pjesë integrale e jetës sonë. Telefoni është si një shtojcë e trupit të njeriut, dhe kur janë pa telefon, shumica e njerëzve ndihen sikur diçka i mungon. Por nga përvoja ime me influence, mendoj se duhet bërë ende shumë punë për ta kuptuar këtë si profesion.
Shumë të rrallë janë influencer në Shqipëri të cilët janë të fokusuar në një shërbim, produkt ose stil jetese specifike. Pjesa më e madhe reklamojnë produkte ose shërbime që nuk kane lidhje me njëra-tjetrën (rasti më i mirë) ose bien edhe në kundërshtim produktet me njëri- tjetrin (rasti më i keq)” – shprehet Bozaxhi.
Efektet e përfshirjes së blogerave në industri shihen pozitive, por afatshkurtra. “Në hotelin tonë kemi pasur bashkëpunime me persona që janë bloger apo persona VIP që mund të kenë shumë ndjekës e mund të na shërbente që hoteli të jetë më vizibël. Vazhdojmë ta bëjmë këtë prej disa kohësh. Sigurisht, përzgjedhja e personit do kujdes, duke e përshtatur profilin e tij me profilin e strukturës, që do të thotë se ne nisemi nga kategoria e klientëve familjarë dhe normalisht zgjedhim dikë të përshtatshëm për këtë.
Marketimin tonë nuk mund ta bëjë, për shembull, një rreper. Kjo është diçka që funksionon por efekti është afatshkurtër” shprehet Blerim Norja nga “Royal G”./Monitor