Sali Berisha do të bashkëpunojë me LSI dhe partitë e tjera të vogla opozitare për 6 bashkitë e vendit. Edhe pse vetë grupi i Berishës e ka ende të paqartë logon me të cilën do të dalin, janë të sigurt se me to do të jetë LSI. Tritan Shehu nga grupi i ish-kryeministrit Sali Berisha, deklaroi këtë mbrëmje në emisionin ‘Pa Protokoll’ të gazetares Anduela Ndreu në Report Tv, se të dielën zhvillohen “Primaret” e mbështetësve të Berishës për të zgjedhur emrat në 6 bashkitë. Edhe pse grupi i Berishës ende nuk ka një logo për këto zgjedhje, një gjë është e sigurt, nuk do të jetë logo e PD.
“Ne do paraqitem me kandidatë të votuar nga anëtarësia e PD. Për t’i dhënë rol bazës, çdo individi. Kandidatët të jenë të mbështetur nga një koalicion i gjerë. Do të japi sukses, sepse përzgjedhja është bërë nga baza e PD ndryshe nga çdo herë tjetër. Do shkohet në formën e një koalicioni të forcave opozitare që mbështesin kandidatin e PD të dalë nga primaret. Koalicion opozitar. Aleatët që po negociohet do t’i shikoni ditën që do shpallen. Nuk mund t’i them. Mund të vijë kushdo që të kandidojë, mjafton që të thotë unë jam opozitar.”-deklaroi Shehu.
Ndërsa deputetja e Partisë Demokratike, Oriola Pampuri, e renditur në krah të Bashës, tha se kandidatët e PD janë përzgjedhur dhe brenda pak ditësh do të bëhen të ditur emrat e garuesve për zgjedhjet e 6 marsit.
“Kandidatët janë përzgjedhur, pritet vetëm publikimi. Brenda pak ditësh do publikohen”-tha Pampuri
g.kosovari