Nga Don Lush GJERGJI
Me prof. Isak Ahmetin më lidhë shumëçka që fëmijëria dhe rinia në Stubëll, udhëtimet e mundimshme dhe të rrezikshme “këmbësore” në Viti, pastaj në Zhegër dhe më vonë në gjimnazin klasik “ Ruđer Boković“ në Dubrovnik. Ndërkaq, më vonë bashkëpunimi ynë shumë i frytshëm, miqësor dhe vëllazëror, u thellua dhe fisnikërua, veçmas nëpërmjet revistës tonë fetare dhe kulturore “DRITA”, e vetmja si e tillë në gjuhën shqipe asokohe. Po ashtu, kemi bashkëpunuar në shumë fushën e botimeve, duke përgatitur libra të ndryshëm të botuar nga Shtëpia Botuese “Drita”. Pra, prof. Ahmeti ka ndihmuar në përgatitjen dhe lekturim e teksteve për botime të librave tona, atëherë kur njerëzit “strukeshin” nën petkun e ideologjisë dhe politikës…
Kjo miqësi, vëllazëri dhe bashkëpunim, vazhdon gjithnjë, dhe është dëshmi e mirë dhe e sigurt se atë e kemi ndërtuar në themele të forta, siç do të thoshte Jezusi “në shkëmb”, që i përballon stuhitë e kohës dhe rrethanave, dhe vazhdon tash dhe në amshim.
Prof. Isak Ahmeti, për mendimin dhe vlerësimin tim, është së pari krijues i mirëfilltë, poet “me damar” – frymëzim dhe me profesion – mision, që të mirën, të drejtën, të vërtetën, jetën dhe dashurinë, ia ofron dhe dhuron publikut tonë të gjerë shqiptar, por edhe botës.
Prof. Isak Ameti shquhet edhe në fushën e përkthimeve, duke ndihmuar kështu në lidhjet kulturore e letrare mes shqiptarëve dhe botës perëndimore.
Në veprën e tij të pasur kulturore e letrare, ai ka transmetuar vlera të mirëfillta poetike dhe virtyte të dalluara njerëzore dhe të krishtera sot.
Përgatitja e tij klasike, si dhe puna e palodhshme me dekada, e bëjnë prof. Ahmetin edhe studiues të traditës, kulturës dhe qytetërimit tonë të stërlashtë ilir, arbëror dhe shqiptar.
Mendja e tij e ndritur, zemra e tij e madhe, penda e tij e mprehtë, hetohet në çdo varg apo resht, në çdo shkronjë apo faqe, me stil unik karakteristik, që e bëjnë atë krijues dhe studiues të dalluar shqiptar.
Marja Sebaj – Sopi, nëpërmjet intervistave depërton në thelbin e frymëzimit dhe të krijimtarisë letrare dhe studimore, duke na zbuluar dhe afruar – ofruar Prof. Isak Ahmetin – Njeri, Poet dhe Studiues, që lehtëson dhe mundëson shijimin dhe leximin e veprave të tij në kontekstin jetësor dhe përmbajtjesor.
Falënderoj Marjan Sebaj – Sopi, për punën dhe mundësinë që na jep, që për së afërmi të takohemi, shoqërohemi dhe bashkohemi në synimet, që krijimtaria e Isak Ahmetit ta zbukurojë jetën dhe përditshmërinë tonë, ndërsa studimet dhe botimet e tij, t’i pasurojnë mendjen dhe zemrat e lexuesve, bibliotekat shtëpiake dhe institucionale.
Prof. Isak Ahmetit, Mikut dhe Vëllait të kamotshëm, shëndet, vullnet, frymëzim, kënaqësi, lumturi dhe shumë dashuri në jetë dhe në krijimtari.
Prishtinë, 21 tetor 2020