Presidenti Vladimir Putin tha se Shtetet e Bashkuara dhe NATO nuk i kanë adresuar shqetësimet kryesore në lidhje me sigurinë që Rusia ka, por pranoi se Moska ishte gati të vijonte bisedimet.
Këto komente Putin i bëri në një telefonatë me presidentin francez, Emmanuel Macron, pasi kishte qëndruar i heshtur prej disa javësh lidhur me krizën, të krijuar edhe për shkak të rreshtimit të trupave ruse në kufi me Ukrainën.
Kremlini citoi presidentin rus se i kishte thënë homologut francez që do të studionte përgjigjet me shkrim të dërguara nga Uashingtoni dhe NATO këtë javë, para se të vendoste në lidhje me veprimet e mëtejshme. “U theksua fakti që SHBA dhe NATO nuk kishin marrë parasysh shqetësimet kryesore të Rusisë në përgjigjet e tyre”, tha Kremlini.
Rusia kërkon që NATO të mos zgjerohet më në lindje dhe të rikthejë kapacitetet ushtarake në pikën që ishin para se t’i bashkoheshin vendet që dikur ishin pjesë e Traktatit të Varshavës. “Çështja kyçe u injorua, askush nuk duhet të forcojë sigurinë e vet në kurriz të sigurisë së një shteti tjetër”, tha Kremlini duke cituar Putin.
SHBA dhe NATO nuk pranuan kërkesën e Rusisë për të përjashtuar mundësinë e anëtarësimit të Ukrainës në aleancë, si dhe kanë paralajmëruar për sanksione të ashpra nëse trupat ruse futen brenda territorit ukrainas.