Në pyetjen se cilat janë planet e tij për javët dhe muajt e ardhshëm, zëdhënësi i Angela Merkel u përgjigj:
“Planet e mia janë të vagullta, por edhe ato ndryshojnë vazhdimisht. Me siguri do të bëj një udhëtim me gruan time.
Dhe në pranverë dua të shkoj në Ballkan, gjithsesi në Shqipëri. Kam një adhurim të madh për shkrimtarin shqiptar Ismail Kadare, në gjurmët e të cilit dua të shtegtoj.
Diçka më tërheq atje, nuk mund ta them çka, por jo gjithçka duhet të jetë e shpjegueshme. Tashmë kam shikuar në Airbnb”.
****
Disa intervista lexuesi i lexon për pikë qejfi. I lexon për shkak se premtojnë edhe argëtim. Me këto pritje fillova të lexoj intervistën me Steffen Seibert, i cili ka qenë 11 vjet zëdhënës i Angela Merkelit. Intervista u botua të premten në magazinën e “Süddeutsche Zeitung”.
Seibert ka qenë moderator i njohur i lajmeve në televizionin gjerman ZDF, para së të bëhej zëdhënës i Merkelit, tani ai është njeri i lirë, pa obligime dhe plane të mëdha.
***
Titulli i intervistës premtonte zbavitje kolosale: “A e keni përqafuar zonjën Merkel kur jeni përshëndetur për herë të fundit?” – “Jo”.
Një titull i tillë zgjon kureshtje. Në vijim të intervistës Seibert tregon se si e ka harruar telefonin në një restorant në Berlin, “vetëm 5 minuta”, flet për Tweetin e tij më “të tmerrshëm” që ka shkruar ndonjëherë: në nguti e sipër ai më 2011 shkroi në Twitter “Obama bin Laden” në vend të “Osama bin Laden”.
***
Sa i përket përqafimit të zonjës Merkel: Seibert thotë se gazetari e përfytyron momentin e ndarjes si “tepër melodramatik”. Gazetari insiston: A mund të jetë Merkel tani mike e juaja, pasi që nuk është më shefe e juaja? Seibert:
“Ajo është ish-kancelare, unë jam ish-zëdhënësi i saj. Këto nocione mjaftojnë, këtu ka vend e tëra. Ne do mbesim në kontakt dhe për mua ky është mendim i bukur”. Pyetja tjetër: Ju mungon Merkel? Zëdhënësi: “Jo”. Pse jo? Seibert: “Sepse jemi takuar tashmë”. Privat? “Tani e tutje çdo takim është privat”. (E.Robelli)