Deputeti socialist shprehet te JAVAnews për karakterin sociologjik të krimit në vend dhe sesi duhet t’i paraprijmë përndalimit të tij. Nga ana tjetër, ai e vendos gishtin e fajtorit nga politika e sotme, që bën shumë pak për të zbutur origjinën sociale të krimit dhe më shumë se kaq e humbet të gjithë përpjekjen në debate shterpë dhe në gjuajtjen e gabimeve të kundërshtarëve politikë…
Intervistoi Ben Andoni
Krimi në vend po luftohet, por është qesharake që politika kundërshtare fërkon duart, shprehet specialisti i njohur i policisë. I pyetur për një të përbashkët politike ndaj luftës për krimin në vend, ai shprehet se: “Emëruesi i përbashkët është vështirë të gjendet dhe kjo është vrastare për luftën antikrim. Dikush lufton e dikush fërkon duart kjo ndodh vetëm tek ne. Ka ardhur koha që politika t’i thërrasë mendjes dhe të gjejë gjuhën se krimi është sëmundje në trupin e shoqërisë, që shkakton viktima në jetë, pasuri dhe në vetë mbarëvajtjen e shtetit.
Pak ditë më parë, shifrave optimiste të uljes së situatës së vrasjeve në vend, opozita i është përgjigjur me deklarata që e kundërshtonin dhe e atakonin relacionin e Ministrisë së Brendshme. Kur e shikon situatën e krimit në vend, që nuk gjen dot të përbashkët në punën e të dy palëve, atëherë e kupton lehtë sesa të vështirë e ka politika të jetë me një emër të përbashkët për gjërat madhore në vend…
Larg këtyre, situatën e krimit e kupton më së miri, duke gjykuar për faktorin social, që në vend është përkeqësuar disi prej varfërisë. Që aty duhet të fillojë puna për parandalimin e krimit, shprehet specialisti i njohur, që ka marrë pjesë vetë në fushata kundër krimit dhe shpesh në vendosjen e rendit: “Duhen koordinuar masat parandaluese që në gjenezë e jo kur krimi ndodh. Raporti i angazhimit në luftë kundër krimit në masat para se të ndodhë në ato kur ndodhë është në raport të zhdrejtë dhe anon nga e fundit. Pra, kur ndodh. Një vend i varfër, me institucione shtetërore e drejtësie të dobëta e të korruptuara, me urbanizim kuturu e pa adresa, me probleme të thella sociale, me papunësi të lartë e krim të organizuar prezent, është i rrezikuar nga krimi. Dhe nëse masat nuk koordinohen në mënyrën e duhur, nëse nuk mobilizohen të gjithë faktorët krimin nuk ulet”, shprehet ai.
A është e mundur të punohet që më parë profesionalisht me trendet e kurbave të krimeve në një vend, duke u nisur p.sh. nga gjendja aktuale social-ekonomike e Shqipërisë?
“Kriminaliteti shqiptar ka fizionominë e vet ashtu si çdo vend tjetër. Gjendja ekonomike është faktor i rëndësishëm, jo thjeshtë për pamundësinë e sigurimit të mjeteve të jetesës por nga pasojat që vijnë. Nëse je i varfër natyrshëm çalojnë tre institucionet sociale: familja, shkolla dhe shoqëria (lagjja). Një familje e varfër ka pak gjasa të shkollojë si duhet fëmijët, prodhon dhunë, tensione për shkak të mungesës së ushqimit, veshjes etj. Por dhe diskriminimi që i bën shoqëria të varfërve i detyron këta të frekuentojnë ambiente shoqërore problematike. Sa shoqëria jonë i stimulon apo i frenon këto faktorë kriminogjene? Kjo do ishte një analizë që duhet bërë. Sepse ndërsa flasim për parandalim krimi dhe nuk konsiderojmë masat edukuese në këto tre pika, atëherë perspektiva e luftës kundër krimit do jetë e turbullt. Duhen koordinuar masat parandaluese që në gjenezë e jo kur krimi ndodh. Raporti i angazhimit në luftë kundër krimit në masat para se të ndodhë në ato kur ndodhë është në raport të zhdrejtë dhe anon nga e fundit. Pra, kur ndodh. Një vend i varfër, me institucione shtetërore e drejtësie të dobëta e të korruptuara, me urbanizim kuturu e pa adresa, me probleme të thella sociale, me papunësi të lartë e krim të organizuar prezent, është i rrezikuar nga krimi. Dhe nëse masat nuk koordinohen në mënyrën e duhur, nëse nuk mobilizohen të gjithë faktorët krimin nuk ulet”.
Pse është e vështirë për politiken shqiptare që të ketë emërues të përbashkët për probleme madhore, si ai që lidhet me luftën e krimit dhe ku të dy palët mëtojnë se janë të angazhuara?
“Fatkeqësisht, politika flet shumë për krimin e nuk bën sa duhet. Nëse ka një problematikë të llojit që përmendëm më lart, faji është pikërisht i politikës. Por, edhe në shpërqendrimin e institucioneve të shtetit, në ligjbërjen, zbatimin e ligjit, korrupsionin etj., pak shihet të bëhet. Por ka të dhëna alarmante, kur një krah i politikës prodhon në lajthitje skandaloze shifra kriminaliteti të paqena. Siç është rasti i krimit të vrasjes për vitin 2015. Është e rëndë që të flitet me gjuhën e mllefit deri atje sa të amplifikosh statistika që nuk ekzistojnë. Historikisht gjendja e krimit të vrasjes nuk është manipuluar dot asnjëherë. Ai është një krim i rëndë që nuk lë shteg për abuzim. Nuk e di akoma se pse ndodh kjo, por them se është shfaqje e shëmtuar në luftën antikrim dhe pse jo inkurajim i krimit. Emëruesi i përbashkët është vështirë të gjendet dhe kjo është vrastare për luftën antikrim. Dikush lufton e dikush fërkon duart kjo ndodh vetëm tek ne. Ka ardhur koha që politika t’i thërrasë mendjes dhe të gjejë gjuhën se krimi është sëmundje në trupin e shoqërisë, që shkakton viktima në jetë, pasuri dhe në vetë mbarëvajtjen e shtetit”.