Gjykata e Lezhës la në qeli 17-vjeçarin Florian Përvathi që vrau të hënën për gjakmarrje bashkëfshatarin Lek Lekgjonaj. Vendimi u prit me lot në sy nga familjarët e adoleshentit që ekzekutoi vëllanë e vrasësit të babait. Avokati i të miturit i cilësoi të dy viktima dhe gjithë shoqërinë bashkëfajtore.
Familjarët e pritën me lot në sy në derë të Gjykatës së Lezhës, 17-vjeçarin Florian Përvathi që vrau të hënën për gjakmarrje bashkëfshatarin Lek Lekgjonaj në fshatin Manati.
Ashtu pritën dhe vendimin e togave të zeza që vendosën të mbajnë në burg pa afat adoleshentin për akuzën “vrasje për gjakmarrje” dhe dy akuza për armëmbajtje pa leje.
Katër ditë pas krimit, 17 vjeçari ndodhet ende në gjendje të rënduar psikologjike.
Para gjyqtarit Artan Hajredinaj ai ka heshtur, ndërsa deklarimet e vetme i ka dhënë para policisë ku u vetëdorëzua pas vrasjes. Vrau fqinjin për gjakun e babës, 17-vjeçari nuk shfaq pendesë për krimin në Lezhë
Avokati i të miturit, Andi Durra, pas vendimit tha se ngjarja e Manatisë është ndër rastet ku të dy janë viktima dhe gjithë shoqëria bashkëfajtore.
“Rasti i parë kur ka dy viktima, një që ka ndërruar jetë dhe i shpreh ngushëllimet e mia dhe familjarëve të të ndjerit, pro viktima e dytë që për mendimin tim nuk do të jetë e fusnit është dhe autori i veprës penale. Nga pak të gjithë jemi bërë fajtorë dhe i kemi nxitur të bëjnë këto lloj veprimesh,” tha avokati. Ngjarja që riktheu fenomenin e gjakmarrjes në Lezhë u shënua të Hënën!
17 vjeçari Florian Përvathi ekzekutoi me pistoletë me mulli bashkëfshatarin Lek Lekgjonaj, pasi vëllai I tij Ndue Lekgjonaj i vrau të atin në vitin 2009.
Por adoleshenti nuk pranon të tregojë nëse e kanë ndihmuar në planin për hakmarrje që siç ka pranuar e kishte hartuar prej kohësh./m.j