Opozita kosovare ka kritikuar ashpër qeverinë për keqmenaxhimin e situatës epidemiologjike në vend, duke kundërshtuar veccanërisht masat më të fundit që kanë hyrë në fuqi.
Kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi e ka cilësuar si skandaloz dhe jo të paqëllimshëm detyrimin për hyrjen në Kosovë me tre doza të vaksinës.
“Në Kosovë vetëm 4% e qytetarëve kanë marrë dozën e tretë, e veçmas si masë ndaj bashkëkombësve tanë të brezit kufitar në Shqipëri, Maqedoni e Luginën e Preshevës që deri dje kanë qarkulluar dhe punuar krejt normalisht. Duke i penalizuar ata, kjo përbën një lloj absurditeti të cilin nuk mund ta themi se është krejtësisht i pa qëllimshëm. Kjo dëshmon se qeveria jonë masat ndaj COVID gjithmonë i ka ndërmarrë nga impulsi i improvizimit dhe jo me qëllim të menaxhimit efikas.”
Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e konsideron të paarsyeshëm vendimin e qeverisë për ndalesat në kufi që prekin të pavaksinuarit me dozën përforcuese.
SHEMSEDIN DRESHAJ
DEPUTET, AAK
“Shteti përmes aparateve të veta duhet të veprojë me masa sanksionuese për mos respektimin e masave standarde të parandalimit të infeksionit e jo duke i ashpërsuar me masa shtesë. Shkurtimi i orarit të gastronomisë e ora policore, më tepër i kontribuojnë uljes së harxhimeve energjetike elektrike sesa menaxhimit të pandemisë. Veprimi me ndalesat kufitare me kusht pajisjen me dozë të tretë të vaksinës, më besoni nuk është i qëlluar, pasi sëmundjen e kemi brenda prandaj kryeministër hapi kufijtë e në veçanti kufirin me Shqipërinë”.
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, u është përgjigjur akuzave të opozitës për masat në fuqi duke thënë se ato janë marrë në konsultim me të gjitha palët.
RIFAT LATIFI
MINISTER I SHENDETESISE, KOSOVE
“Në Kosovë ne kemi zgjedhur një rrugë më të moderuar kemi vendosur kufizime në sektorë të caktuar që janë me rrezik të lartë dhe po presim të shohim se si po zhvillohet situata në spitalet tona. Natyrisht që për çdo ditë e vlerësojmë këtë dhe do t’i marrim masat konform zhvillimeve.”
Kryeministri Albin Kurti i ka justifikuar kufizimet me argumentin se spitalet në Kosovë përballen me numër të kufizuar të shtretërve dhe personelit shëndetësor.
/a.r