Atë që nuk e zgjidhin qeveritë, mund ta zgjidhin multinacionalet, firmat e mëdha dhe me ndikim. Presidenti i nderit i kompanisë turke Enka, Sharik Tara, po niset me mision në Rusi. Ai është një nga biznesmenët më të fuqishëm jo vetëm në Turqi, por edhe në botë.
Në një intervistë për revistën “The Economist”, ai thotë se qëllimi është të ulë tensionet mes Rusisë dhe Turqisë pas rrëzimit të avionit rus.
“Mendoj se të gjitha problemet mund të zgjidhen me dialog dhe tolerancë”, thotë Tara.
Sipas tij, qëllimi i vizitës është edhe që të ngrejë moralin e punonjësve të kompanisë Enka në Rusi.
Enka, e cila ka ndërtuar një segment të Rrugës së Kombit në Shqipëri, është e pranishme në 43 vende të botës.
Gjigandi i ndërtimit ka një portofol investimesh prej katër miliardë dollarësh në Rusi.
Sharik Tara thotë se do ketë një darkë pune me grekun George Papandreu, përpara se të nisë negociatat me rusët.
A do ketë sukses?
Tara thotë se në një rast ia ka dalë të ulë tensionet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë.
“Kishte shumë tension mes Shqipërisë dhe Maqedonisë. I dërgova presidentit maqedonas, Kiro Gligorov, mesazhin e kryeministrit shqiptar, Sali Berisha. Në një darkë me të, i thashë Gligorovit: “Të sjell një mesazh nga Shqipëria. Ata thonë se nuk ka asnjë problem, nëse Maqedonia njeh të drejtat kushtetuese të shqiptarëve në Maqedoni. Presidenti maqedonas pranoi se nuk kishte asnjë shqiptar në kabinet dhe pas takimit tonë, ai emëroi tre shqiptarë dhe një ministër turk”.
Por, kush është Tara?
Me një pasuri prej 3.3 miliardë dollarësh, ai është njeriu i dytë më i pasur në Turqi.
Ai ka lindur në Shkup të Maqedonisë.
Familja e tij emigroi në Turqi në vitin 1842. Babai i tij, Fevzija Haxhihamziç, është boshnjak me origjinë.
Kur mbërritën në Turqi, e ndërruan mbiemrin në Tara, sipas lumit që rrjedh në Bosnje dhe Mal të Zi.
Në vitin 1957 themeloi kompaninë Enka.
Ai është shfaqur në krah të Berishës, gjatë inaugurimit të Rrugës së Kombit.
Megjithatë, miqësia mes tyre, siç tregon episodi i mësipërm, duket shumë më e hershme.