Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të Konkursit të Vitit të Ri 2022, i cili u çel përmes pop-up-it në Platformën e Bashkëqeverisjes në muajin dhjetor 2021. Në këtë konkurs morën pjesë 711 pjesëmarrës, në tre kategori të ndryshme: fotografia e vitit, videokërkesa ime dhe urimi im.
Kreu i qeverisë shpërndau personalisht çmimet për fituesit dhe falenderoi të gjithë pjesëmarrësit që iu përgjigjën ftesës spontane që ai bëri në faqen e tij zyrtare në Facebook. Rama parashtroi edhe synimin që ky konkurs të bëhet një traditë edhe për vitet e mëpasshme, për të rritur më shumë bashkëpunimin.
Në fjalën e tij përshëndetëse Rama tha se: “Ishin masivisht kërkesat e bëra nga nxënësit e shkollave të ndryshme të vendit dhe dua të shtoj se, mbase mund të lindi nevoja për një shpjegim ndër ata konkurentë që ishin një numër i konsiderushëm, se ku qëndron ndryshimi midis një shkolle dhe një tjetër. Kjo, pasi tëra kanë kërkuar palestra, fusha sportive, ambiente për arte e zeje. Ndryshimi është në faktin se pavarësisht se në thelb kërkesat nuk kanë qenë shumë të ndryshme në formë dhe pasionin që janë adresuar, sigurisht ka pasur avantazhe dhe disavantazhe dhe kjo ka qene arsyeja e vlerësimit si kriter.”
Ai theksoi se: “Ndërkohë, edhe shkollat e tjera që kanë bërë kërkesën do të ndihmohen, është me rëndësi të dihet se nuk është fjala për një kërkesë dhe akses të drejtpërdrejtë në arkën e shtetit. Është fjala që ne së bashku me nxënësit të bashkëpunojmë dhe t’i mbështesim ata për të financuar nevojat, që d.m.th le ta shfrytëzojmë këtë proces për të rritur ndjeshmërinë dhe dijen e nxënësve mbi mundësitë shumë më të mëdha sesa ato që duken në pamje të pare, që ka çdo individ i cili bashkohet me të tjerë.”/m.j